Nga Mila Ballhysa

“Ne do të kontribuojmë me 10% të vlerës totale, më tej në vitet e ardhshme kjo do të vijë në rritje 15% dhe 20% në PBA (Projekt Buxheti Afatmesëm) e 3 viteve të fundit të financimit. Është një strategji afatgjatë dhe ne do ta zbatojmë hap pas hapi duke zbatuar gjithë ligjet që janë në fuqi”.

Kjo ishte deklarata e bërë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak Durrës nga kryebashkiakja Emiriana Sako, lidhur me vendimin e marrë ditën e enjte në mbledhje, ku ju hap rruga përdorimit të fondit të akorduar nga Këshilli i Ministrave me VKM nr. 496, datë 30.07.2021 për mbështetje financiare nga qeveria qendrore për menaxhimin e mbetjeve.

Me fjalë të thjeshta, bashkia Durrës do të mbulojë me fondet e saj në 3 vitet e para 10% të shumës që do t’i rimbursohet landfillit të Sharrës për trajtimin e mbetjeve të qytetit bregdetar, ndërkohë që në vitet në vazhdim kjo shumë do të jetë në rritje në vlerën 15% dhe 20%.

Në relacionin që u është vënë në dispozicion këshilltarëve, të cilin “DurrësLajm” po e publikon të plotë në fund të shkrimit, zbardhet shuma që do t’i paguhet për 10 vitet e ardhshme landfillit të Sharrës për depozitimin atje të mbeturinave urbane të bashkisë Durrës.

Nga 40 €/ton që ishte tarifa e parë, duket se pas negociatave ajo ka zbritur në 34.7€/ton, të ofruar nga shoqëria Integrated Energy BV.

Nga rreth 80 mijë ton mbetje që prodhon çdo vit bashkia Durrës, konçesionari i Sharrës do të përfitojë çdo vit nga Buxheti i Bashkisë + Buxheti i Shtetit rreth 344 milionë lekë të reja.

Bashkia Durrës nuk do të paguajë për plehrat vetëm gjatë periudhës (gusht-dhjetor 2021), ndërsa më pas vit pas viti shuma varion nga

34,465,920 lekë (për vitet 2022-2024), 10%

51,698,880 lekë (2025 – 2027), 15%

68,931,840 lekë (2028 – 2030). 20%

Siç shihet qartë edhe në tabelën e mëposhtme, deri në fund të periudhës 10-vjeçare të depozitimit të mbetjeve në landfillin e Sharrës, kostoja që tatimpaguesit durrsakë do të paguajnë nga xhepat e tyre për mbeturinat dyfishohet, ndërsa ulet fondi i akorduar nga Buxheti i Shtetit për menaxhimin e mbetjeve të Durrësit. 3 vitet e para qeveria ka marrë përsipër të paguajë 90% të shumës totale, në 3 vitet e mëpasme (2025 – 2027) 85% të shumës, ndërsa 3 vitet e fundit 80% të shumës totale.

Por ajo që nuk sqarohet në relacionin e hartuar nga bashkia Durrës është se ku do të gjenden këto para: 1) Do të rritet tarifa që qytetarët paguajnë çdo vit për pastrimin e qytetit; 2) Do të pakësohen investimet publike për të paguar tarifën e plehrave.

Një gjë tjetër që tërheq vëmendjen në relacion është se:

“Shuma e mbështetjes financiare, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi negociohet cdo vit fiskal , gjatë hartimit të projektbuxhetit afatmesëm dhe atij vjetor, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkisë Durrës, në varësi të aftësive fiskale.”

Nëse qeveria nuk do të ketë mundësi financiare ta mbështesë bashkinë Durrës për menaxhimin e mbetjeve, e gjithë kostoja ose një pjesë e saj pritet të bjerë mbi buxhetin e institucionit të qeverisjes vendore, që e ka të pamundur ta përballojë me fondet e veta.

Në këto raste a ka rrezik bashkia Durrës të mos jetë në gjendje financiarisht të menaxhojë plehrat?!  

Prej vitit të kaluar, kur qeveria mbylli venddepozitimin në Porto Romano për ta shndërruar në Eco Park, banorët e Durrësit janë përballur disa herë me emergjencat mjedisore për shkak të mos tërheqjes së mbeturinave urbane për ditë të tëra brenda në qytet dhe zona periferike. Alternativa e vetme që u ofrua për depozitimin e mbetjeve ishte landfilli i Sharrës, i cili prej mëse një viti i ka pranuar mbeturinat urbane pa pagesë.

Tani që qeveria hapi dritën jeshile për financimin e menaxhimit të mbetjeve të Durrësit, kompania Integrated Energy BV do të përfitojë deri në fund të vitit 2030 nga bashkia Durrës shumën 3,870,129,280 lekë.

Duke llogaritur që edhe bashkitë e tjera të qarkut Durrës, ajo e Shijakut dhe Krujës do t’i depozitojnë në Sharrë, koncesionari i Sharrës do të marrë vit pas viti nga Buxheti i Shtetit dhe buxhetet lokale shuma mjaft të konsiderueshme për depozitimin e mbetjeve.