4 qershor 2015 – Shqipëria fiton 6 pozicione në renditjen e FIFA-s për muajin qershor. Nga vendi i 57-të që ishte një muaj më parë, përfaqësuesja kuqezi pozicionohet në vendin e 51-të, edhe pse gjatë muajit të fundit sikurse të gjitha kombëtaret europiane, nuk ka luajtur qoftë një ndeshje.
Kuqezinjtë lanë pas në renditjen aktuale skuadra të tilla si Japonia, Mali, Panamaja dhe Egjipti, madje edhe Turqia renditet në një pozicion më të dobët se Shqipëria. Përsa u përket skuadrave të tjera të Grupit “I” eliminator të Euro 2016, Portugalia mbetet në vendin e shtatë, Danimarka në të 29-tin, ndërsa Serbia që është e 45-ta ka humbur një vend. Armenia, të cilën Shqipëria e mposhti 2-1 më 29 mars, ka humbur 7 vende duke u renditur e 85-ta.
Përsa i përket 10-shes më të mirë ndryshimi më i rëndësishëm është parakalimi i Argjentinës nga Belgjika që ngjitet në vendin e dytë, ndërsa Franca, që pozicionohet e nënta, fitoi dy vende duke nxjerrë jashtë 10-shes Zvicrën. Renditja e FIFA-s vijon të kryesohet nga Gjermania, kampionia e botës në fuqi.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/