3 shtator 2015 – Vetëm pak orë përpara sfidës kualifikuese në Kopenhagen, FIFA ngre Danimarkën dhe zbret Shqipërinë. Në renditjen e muajit shtator, përfaqësuesja kuqezi humbet tri pozicione dhe e sheh veten në vendin e 25-të. Pavarësisht se të besuarit e Ganni De Biasit nuk kanë luajtur asnjë ndeshje, rënia në klasifikim vjen prej lëvizjes së koeficientëve të skuadrave. Në këtë mënyrë Shqipëria humbet rekordin historik në renditjen botërore, të vendosur në muajin gusht, pas fitores 3-0 në tavolinë me Serbinë. Gjithsesi, vendi i 25-të është i dyti më i lartë për Kombëtaren në renditjen e FIFA-s.

Nga rokada përfiton Danimarka. Skuadra e Morten Olsen ngjit tri shkallë dhe pozicionohet e 22-ta, duke i rrëmbyer Shqipërisë vendin. Rënia i zbret kuqezinjtë edhe pas Francës, organizatore të Euro 2016. Edhe pse humbi një vend, skuadra e Didier Deschamps renditet e 24-ta. Nga rivalët e tjerë të Grupit I, Serbia mbetet në vendin e 66-të, e lënë mbrapa nga skuadra si Gaboni, Guinea dhe Republika Demokratike e Kongos. Ngjitet Armenia, që fiton 5 vende dhe tashmë pozicionohet e 83-ta në botë. Argjentina vazhdon të kryesojë renditjen e FIFA-s, e ndjekur nga Belgjika dhe Gjermania. Me dy vende të fituara, Kili pozicionohet i teti dhe është e vetmja skuadër që realizon një ngjitje të rëndësishme mes kryesuesve. Jashtë "Top 10" mbeten gjigandë europianë si Spanja, Holanda dhe Italia.

/portali DurresLajm/