Kombëtarja shqiptare në futboll ka humbur dy pozicone në renditjen e FIFA-s për muajin prill.

Pas zhgënjimeve në dy testet miqësore kundër Kilit dhe Suedisë, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Silvinjo kanë zbritur në vendin e 66-të.

Shqipëria ka mbledhur 1375 pikë, 8 pikë më pak se në renditjen e muajit shkurt.

Pas dhjetorit të kaluar kuqezinjtë kanë njohur vetëm zbritje në këtë klasifikim, duke humbur përkatësisht 4 pozicione.

Ndërkohë kundërshtarët e Shqipërisë në Eampionatin Europian, “Gjermani 2024”, pozicionohen në 10 vendet e para.

Spanja renditet e teta me 1727 pikë, më pas është Italia me 1724 pikë dhe në vendin e 10 qëndron Kroacia me 1721 pikë.

Renditja e FIFA-s, udhëhiqet nga Argjentina, kampione bote, ndjekur nga Franca dhe Belgjika.

Sa i përket Kosovës, dardanët e shohin veten në vendin e 102-të me 1205 pikë. Në miqësoret e marsit, ekipi i drejtuar nga Franco Foda mundi Armeninë dhe u mposhtën nga Hungaria.