FIFA ka publikuar renditjen mujore të kombëtareve të botës për muajin mars. Shqipëria, e drejtuar nga De Biazi, ka fituar një pozicion, krahasuar me muajin e kaluar. Nga vendi i 55-të jemi ngjitur në vendin e 54-t. Në fakt, janë kombinime faktorësh të të tjerëve, që dërgojnë në këtë zhvillim, sepse kuqezinjtë tanë nuk kanë luajtur ndonjë ndeshje. Ata do të zhvillojnë kualifikuesen e radhës me Italinë, në Palermo, më 24 mars.
Pezullimet, dëmtimet dhe forma jo e mirë sportive e disa prej lojtarëve kanë krijuar jo pak shqetësim për trajnerin De Biazi, që duhet të “meremetojë” formacionin, sidomos në mbrojtje. Kujtojmë se kulmin e kulmeve në këtë renditje, Shqipëria e pati në muajin gusht 2015, vendin e 22-të në FIFA. Një rekord historik në ranglistën e kombëtareve të gjithë botës. Sa për histori, vendi i 84-t ka qenë pozicioni më i keq, që ka pasur kombëtarja shqiptare nën drejtimin e Xhani De Biazit. Këtë pozicionim kuqezinjtë e kanë pasur në muajt prill, maj, tetor dhe nëntor 2012.