Shkon në 13 numri i të vdekurve nga tragjedia e ndodhur sot në Itali, ku një kabinë teleferiku është shkëputur dhe ka rënë nga rreth 1500 metra lartësi.
Agjencia e lajmeve “Ansa” raporton se 12 persona kanë ndërruar jetë në vendngjarje. Ndërkaq janë transportuar drejt spitalit të Torinos dy fëmijë të moshës 9 dhe 5 vjeç.
Sipas mediave italiane, aksidenti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të këputjes së një kavoje. Teleferiku Stresa Mottarone merr turistë dhe vendas nga qyteti i famshëm i Stresa, në liqenin Maggiore, me gati 1500 metra mbi nivelin e detit deri në majën e malit Mottarone për 20 minuta.
“Aksident i rëndë në teleferikun Stresa- Mottarone. Shpëtimi alpin, dhe ekipet e tjera të shpëtimit në vend. Dy ambulanca me helikopter ndërhynë”, tha shërbimi kombëtar i shpëtimit alpin në Twitter.
Incidenti, ndodhi rreth orës 12:30 minuta të mesditës së sotme rreth 100 metra larg shtyllës së fundit të stacionit të mbërritjes.
Kabina u shemb në një zonë të pyllëzuar dhe të papërshkueshme, ku operacionet e shpëtimit nuk janë të lehta, në një nga pikat më të larta të impiantit.





