Numri i viktimave nga sulmi i 22 marsit në një sallë koncertesh në Moskë ka arritur në 140, teksa ka raportime se autoritetet kanë ndaluar operacionet për kërkimin e trupave të pajetë.
Ministri i Shëndetësisë, Mikhail Murashko, tha se katër nga 76 personat që gjenden në spital janë në gjendje kritike.
Një ditë më herët, Ministria e Mbrojtjes Civile, Emergjencave dhe Fatkeqësive, përfundoi pastrimin e rrënojave në sallën e koncerteve, teksa u raportua se kërkimet për trupa të tjerë kanë përfunduar.
Katër persona të armatosur sulmuan sallën e koncerteve Krokus, duke qëlluar drejt njerëzve dhe duke i vënë flakën sallës.
Një gjykatë ruse ngriti akuza ndaj katër qytetarëve të Taxhikistanit për kryerjen e aktit të terrorizmit. Katër të tjerë po akuzohen se kanë ndihmuar sulmuesit.
Përgjegjësinë për sulmin e mori grupi militant, Shteti Islamik. Përderisa IS-i në mënyrë specifike nuk ka treguar se cila nga degët e saj ka kryer sulmin, inteligjenca perëndimore dhe ekspertët kanë fajësuar për sulmin Shtetin Islamik Korasan (IS-K).