4nëntor 2015 – Në të njëjtën ditë kur u dha dënimi për dy motrat Kajtazi, familja ka kaluar një tjetër tronditje. Gjykata e Durrësit nuk e ka pezulluar vendimin që vajza e vogël, Klevisa 14-vjeçare të rikthehet në shtëpi. Sipas vendimit, ajo do të qëndrojë për 6 muaj në qendrën e rehabilitimit në Kamëz, aty ku është strehuar që në muajin gusht, kur u gjet me të motrën nga policia, 30 ditë pas arratisjes së bujshme.
Pas vendimit, Anila Kajtazi, nëna e dy motrave Kajtazi, ka shpërthyer në revoltë ndaj Gjykatës së Durrësit, që shtyn prej disa javësh prishjen e vendimit, të urdhrit të mbrojtjes, për vajzën e vogël. Në seancën gjyqësore, pritej që vajza e vogël të rikthehej në gjirin familjar. E shoqëruar nga disa punonjës të qëndrës sociale, e mitura është paraqitur në seancë gjyqësore për herë të dytë për të njëjtën çështje.
Në shqyrtim të dokumentacionit gjykata kërkoi që kërkesa për prishje të vendimit të urdhrit të mbrojtjes që e mban larg prej prindërve dhe motrës së madhe minorene, duhej të dërgohej nga vetë vajza dhe jo qendra sociale ku është strehuar. Vajza pritej që të mbërrinte në shtëpi një javë më parë, por gjykata e shty seancën me pretendimin se mungonte psikologia e gjykatës. Këtë radhë, u vu re që kërkesa e dërguar në gjykatë, ishte nga qendra sociale dhe jo nga vajza. Kjo ka bërë që Anila të shpërthejë në lot e në revoltë. “Vajza ka më shumë se dy muaj që qëndron në atë strehë dhe po e largojnë nga nëna e nga babai. Si është e mundur që ne kemi kaq muaj e nuk mundemi dot të flasim me vajzën tonë? Si mundet që nuk mund ta përqafojmë dot fëmijën që e kemi bërë nga barku dhe vajza ka disa javë që kërkon të kthehet në shtëpi? Çfarë ligjesh janë këto? Vajza do të vijë në shtëpi, dhe shteti nuk e lejon?”, ishin fjalët e Anilës në gjykatë.
Në një seancë të mëparshme, gjykata dënoi motrën e madhe me shërbim prove, ndërsa të voglën me 50 orë punë në komunitet.
/K.H. portali DurresLajm/





