Ndotja e mjedisit nga mbetjet urbane mbetet një shqetësim për banorët e Manzës në bashkinë e Durrësit. Një vit më parë, përveç derdhjes në vendgrumbullimin e Manzës, që është jashtë çdo standardi të kërkuar, nisën të depozitohen edhe mbetjet urbane të qytetit të Durrësit.

Për herë të parë, banorët u bënë bashkë për të ndaluar katastrofën mjedisore që po u kanosej dhe vendosën të angazhohen në nismën qytetare “Manza pa Mbetje” për të kërkuar një zgjidhje përfundimtare të ndotjes masive të shkaktuar nga keqmenaxhimi i mbetjeve urbane.

“Nga takimet me banorët e Manzës kemi evidentuar që problemi i mbetjeve vazhdon të jetë. Ato digjen dhe rrugëve, ndërsa banorët gjatë takimeve me komunitetin ngritën dhe problemin e mungesës së koshave, si dhe zgjidhjen përfundimtare të menaxhimit të mbetjeve… Mungesa e marrëveshjes vë në dyshim kthimin e depozitimit të mbetjeve në Manëz.”, shprehet ekspertja Alisa Peçi.

Kohët e fundit, situata është bërë sërish kritike. Problemi i pazgjidhur i emergjencës mjedisore në territorin e bashkisë i ka dhënë pasojat. Plehrat i gjen ngado. Në rrugë, brenda lagjeve të banimit dhe hidhen edhe në kanalet vaditëse, përfshirë dhe ato që përfundojnë në det.

“Mbetjet janë përtokë gjatë të gjithë rrugës dhe nuk i mbledhin. Makina vjen një herë në disa javë.”

Edhe mungesa e kazanëve për hedhjen e mbetjeve është kthyer në një problem shqetësues për banorët e Manzës, ndërsa ankesat e qytetarëve kanë rënë në vesh të shurdhët me justifikimin:

“Nuk kemi kosha dhe po t’ju sjellim kosha do t’jua vjedhin.”

Ndërkohë në Manëz të vjetër familja Tafa vazhdon të bashkëjetojë shumë afër me ndotjen mjedisore që u ka trokitur në derë. 13 vjet më parë kur ata blenë këtë shtëpi e gjithë zona ishte e gjelbëruar, pastaj u përballën me plehrat që ndryshuan gjithçka.

“Kur kemi ardhur në fillim, kur kemi bërë shtëpinë në 2008 nuk ka pas mbeturina. Vetëm kur binin nga pak këta të Manzës dhe i digjnin, pastaj erdhën të Durrësit e të gjitha zonave u mblodhën krejt.”

Situata në vendgrumbullimin e mbetjeve të Manzës tani që temperaturat rriten bëhet edhe më e rëndë.

 “Vetëm shpirti na e di. Këtu shtëpia, këtu mbeturinat.”

Banorët e Manzës apelojnë dhe përmes një peticioni kërkojnë nga pushteti vendor zgjidhjen e kësaj situate të rënduar që cenon shëndetin e tyre, cilësinë e jetës në komunitet dhe përmes prodhime të zonës ndotja përfundon në tryezat e të gjithëve, përfshirë banorët e Durrësit dhe Tiranës.  

“Kjo sjell ndotje të tokës, ujit dhe ajrit. Dhe toka kontaminohet nga mbetjet. Derdhjet nga mbetjet përfundojnë në ujërat nëntokësore dhe në ujërat e zonës ku pi bagëtia dhe prodhohen produkte që i konsumojmë të gjithë.”, shprehet ekspertja Peçi.