Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor informuan këtë të hënë se duke nisur nga dita e mërkurë, datë 3 prill 2019, ora 08:00, në kuadër të projektit “Mirëmbajtja dhe Siguria Rrugore Bazuar në Rezultate”, financim i Qeverisë së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, do të fillojnë punimet për ndërtimin e rrethrrotullimit të Kamzës, në Segmentin rrugor: “Kryqëzimi Universiteti Bujqësor- Kryqëzimi Kamëz qendër, km 1+100”.

Për këtë arsye, gjatë kryerjes së punimeve qarkullimi i mjeteve do të jetë me shpejtësi të reduktuar dhe do të realizohet në përputhje me sinjalistikën e vendosur sipas Planit të Menaxhimit të Trafikut të miratuar, për të lehtësuar qarkullimin e mjeteve dhe për të garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.

Punimet planifikohen të realizohen gjatë harkut kohor: prej datës 03.4.2019 deri më datë 03.6.2019. 
Punonjësit e ARRSH-së, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe kompanisë së mirëmbajtjes do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut.

Nga ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkohet mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i drejtuesve të mjeteve dhe bizneseve të zonës gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë segment rrugor, respektimi në mënyrë rigoroze i sinjalistikës provizore të vendosur, si dhe ndjekja e udhëzimeve të Policisë Rrugore në terren.