Po drekonin në një restorant në Shkodër, por qytetarët i ka zënë paniku, pas një “bastisjeje” nga disa burra të maskuar dhe të armatosur që kanë hyrë në lokal. Fillimisht është menduar se bëhej fjalë për një sulm, por më pas është mësuar se bëhej fjalë për një aksion të forcave RENEA.

Lokali është boshatisur sa hap e mbyll sytë, ndërsa  disa personave nga tronditja iu ka rënë të fikët, e më pas është dashur ndërhyrja e të paktën 2 apo 3 ambulancave që t’u japë ndihmën e parë.

Policia ka bërë me dije se gjatë këtij aksioni u arrestuan 2 persona të rrezikshëm që drekonin në restorantin në fjalë. Operacioni i RENEA-s dhe forcave speciale u zhvillua për të kapur kokat e një grupi kriminal, që iu vinin gjoba bizneseve. Mësohet se në pranga ka rënë Muhamed Lici, një emër i njohur për policinë dhe me precedentë penalë në të kaluarën dhe një shtetas tjetër. RENEA bën me dije se këta persona iu vinin gjoba në formën e pagesave mujore bizneseve kryesisht në tregun Zdrale, në të kundërt i kërcënonin në forma të ndryshme.

Më pas drejtori i policisë së Shkodrës, Alban Çela, në një konferencë për mediat në orët e pasdites së sotme bëri me dije ese janë arrestuar gjithsej 7 persona, të cilët ushtronin aktivitetin e paligjshëm të gjobvënies. 

Në pranga kanë rënë Muhamed Lici, Abedin Bajraktari, Denis Suktina, Gëzim Vajushi, Fatmir Vehbi Dibra, Besmir Domnori dhe G.S, ky i fundit minoren.

Shkatërrimi i grupit erdhi pas 6 muajsh hetime. 

Grupi i strukturuar kriminal detyronte  tregtarët e Shkodrës të paguanin tarifë mujore. Numri i tregtarëve që kanë qenë të detyruar të paguajnë këto shuma “mujore” është tepër i lartë dhe ky grup kishte vepruar nga tetori 2016.

Prokuroria ka informuar se ata mblidhnin me anën e dhunës, kanosjes dhe kërcënimeve shuma parash nga shitësit e Tregut të Zdrales, të Rrugës së Gjerë të Kirasit, etj.

Në kuadër të këtij hetimi rezultoi se drejtuesit e këtij grupi kriminal angazhonin anëtarët e tjerë të grupit që, në çdo fund muaji të merrnin nga çdo tregtar në tregjet e sipërpërmendura shumat nga 1000 lekë deri në 3000 lekë.

Gjatë kontrolleve në banesat e të arrestuarve janë sekuestruar me cilësine e provës materiale:
– Dy automjete , nje autoveturë Mercedez Benz , i blinduar me targë AC 108-u dhe një autoveturë Fiat.
– 7 telefona celularë
-6 uniforma kamullazhi
– Një targë automjeti BP 1065 HT.
– Një palë dylbi 
-Tre skafandra motori
-Një sasi lënde narkotike e llojit cannabis sativa
-Pikturë shënimesh , me shënime të emrave të personave dhe lekët.