Policia e Tiranës ka dhënë informacione lidhur me superoperacionin e ditës së sotme tek Komuna e Parisit. Në pranga është vënë 33-vjeçari Barush Bregu, i shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike, si edhe një 21-vjeçar që dyshohet se e ka ndihmuar të fshihet. 

Bregu është pjesë e një grupi të strukturuar kriminal në Shkodër, si dhe dyshohet se ka marrë pjesë në disa ngjarje të rënda kriminale në këtë qytet.

Arrestimi i tij është bërë sot në zonën e Komunës së Parisit, në një super-operacion që zgjati 60 minuta. Snajpera, FNSH dhe reparti RENEA bënë të mundur arrestimin e dy të rinjve. 

Njoftimi i plotë:

Shkodër

Operacion për kapjen e personave në kërkim, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Finalizohet me sukses operacioni policor “Kompleksi”

Kapet dhe arrestohet një pjestar i një grupi kriminal.

Arrestohet edhe një shtetas tjetër për përkrahje të autorit të krimit

Operacioni nga Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me Renean, FNSH e forcat Shqiponja të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Operacioni u zhvillua në lagjen “Komuna e Parisit”, Tiranë, ku në një banesë të marrë me qera u kap dhe u arrestua shtetasi i shpallur në kërkim:

Barush Bregu , 33 vjeç, lindur në Shkodër.

Ky shtetas është i dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim, në vitin 2016, si dhe me masë sigurie “Arrest në burg”, për armëmbajtje pa leje , pasi në shtator të vitit 2018, gjatë një operacioni të zhvilluar nga Policia, në banesën e këtij shtetasi u gjet një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.

Gjithashtu ky shtetas është i skeduar si pjesëtar i një grupi kriminal dhe është i dyshuar edhe si autor për ngjarje të tjera të rënda kriminale të ndodhura në qarkun Shkodër më parë, si dhe autor i dyshuar për “Trafikim të lëndëve narkotike”.

Po gjatë operacionit u arrestua ne flagrance dhe shtetasi B. Ç. 21 vjeç, banues në Shkodër për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme, për veprat penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”.