DURRËS, 29 janar 2014 –Vetëm RENEA mundi të prangoste të kërkuarin e drejtësisë italiane, krutanin Lorenc Shota, që sillte tryl blutë e Italisë,Tiranës dhe të Krujës. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njoftoi se më 29 janari 2014, në afërsi të banesës së tij në fshatin Bilaj të komunës së Bubqit Krujë, u realizua kapja e Lorenc Shotës, 23 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Interpoli më 18 shkurt 2013, pasi gjykata italiane e Gjenovës kishte nxjerrë ndaj tij urdhër arresti për grabitje me armë dhe rrëmbim personi. RENEA realizoi kapjen e tij. Gjatë kohës që mbahej si i shoqëruar në mjediset e komisariatit të Krujës ia doli të arratisej më 24 qershor 2013, për t’u rishpallur në kërkim më 25 qershor 2013. Kërkimet dhe ndjekja e informacioneve në drejtim të vendndodhjes së këtij personi vazhdoi në vijimësi, për t’u finalizuar ditën e 29 janarit 2014 me kapjen e tij. Vazhdon kryerja e veprimeve të mëtejshme procedurale për ndalimin e tij të përkohshëm me qëllim ekstradimi.
Info/ Si la me gisht në gojë policinë e Krujës më 28 nëntor 2013
Më 28 nëntor 2013 “Dyrrahu” ka botuar reportazhin “Durrës. I shumëkërkuari në Itali lë me “gisht në gojë” blutë krutanë”. Aty shkruhet, ndër të tjera: Lorenc Shota, i njohur me pseudonimin “Terti”, 24 vjeç, banor i fshatit Bilaj, i shumëkërkuar nga policia italiane dhe shqiptare, i akuzuar për dy vepra të rënda penale nga shteti italian “vjedhje me dhunë e armë dhe rrëmbim personi”, për pengmarrjen e biznesmenit italian Andrea Calevo, i ka shpëtuar arrestimit sërish, duke lënë me “gisht në gojë” dhjetëra forca policie që e kishin rrethuar në banesë. Policia është vënë në ndjekje të tij, ndërsa në kontroll të rreptë janë vënë të gjithë të afërmit, telefonat e tyre por edhe miqtë të cilët mund të ndihmojnë me ushqime dhe strehim. Komisariati i Krujës ka nisur kontrolle banesash te të gjithë personat, ku dyshohet se 24-vjeçari do të kërkojë ndihmë.
OPERACIONI
Policia kishte marrë informacione në rrugë operative se 24 vjeçari, i cili i kishte shpëtuar policisë italiane, dhe ishte arratisur nga komisariati i Krujës vetëm 20 minuta pasi ishte arrestuar, lëvizte me një “Audi”, me traga të falsifikuara, dhe qëndronte në banesën e tij në fshatin Bilaj të komunës së Bubqit Krujë. Rreth orës 6 të mëngjesit të 28 nëntorit 2013, dy patrulla të policisë së Krujës dhe inspektorët më të mirë të krimeve të policisë së qarkut kanë behur në fshatin Bilaj. Inspektorët e krimeve rrethuan banesën, ndërsa patrulla e policisë qëndroi 500 metra larg në rrugën lidhëse të fshatit me banesën, duke e mbajtur në mbikëqyrje të shumëkërkuarin. “Nuk mund të binim në sy dhe të futeshim brenda në banesë. Është person me rrezikshmëri të lartë, dhe kemi pritur deri në orën 13 e 15 minuta, që ai të dilte dhe ta arrestonim. Në këtë orë ai hipi në “Audi-n” e tij dhe, sapo pa në distancë makinën e policisë, devijoi rrugën, duke u futur në arë. Me të gjithë shpejtësinë që mund të kishte automjeti, Shota u fut në arë. Pak çaste më vonë makina mbeti në baltë. Patrulla e policisë iu vu mbrapa, dhe po ashtu makina mbeti në baltë. Shota vrapoi, ndërsa oficerët e ndiqnin pas. Doli në rrugën kombëtare dhe aty rastësisht ka kaluar një person, bashkëfshatar i tij, që drejtonte një motor “Papaq”. I arratisuri i ka kërkuar të ndalonte. Bashkëfshatari e ka ndihmuar duke e hipur në motor dhe duke u larguar me shpejtësi drejt Krujës”, pohoi një burim zyrtar. Policia nuk ka mundur të identifikojë as personin që e ndihmoi, sepse ishte me kaskë, duke lënë pas punonjësit e policisë që e ndiqnin me vrap. Motori u largua me shpejtësi drejt Krujës, automjeti i policisë kishte mbetur në baltë, ndërsa i shumëkërkuari i shpëtoi arrestimit. Në ndjekje u vunë sërish uniformat blu, por Shota ishte fshehur, duke i shpëtuar nga duart për herë të dytë uniformave blu, pohojnë të njëjtat burime.
PARADOKSET E FOTOVE DHE LISTËS TË TË KËRKUARVE
Policia italiane botoi fotot e 4 nga 6 të pengmarrësve, dy prej të cilëve janë ato të dy shqiptarëve Simon Halilaj dhe Fabian Vila. Ndërkohë dy të tjerët e arratisur në Shqipëri, kushërinjtë Lorenc dhe Emiliano Shota nuk ishin mundur të fotografoheshin në Apenine. Por shtypi shqiptar siguroi foto të Emilianos pas vetë-dorëzimit në Shqipëri. Kurse për Lorencin nuk ka foto dhe pse u arrestua më 23 qershor 2013. Jo vetëm kaq, në listën e famshme të 18 nëntorit 2013 të Policisë së Shtetit me emrat e 742 më të kërkuarve, nuk figuron ai i Lorenc Shotës. Nga rrethi i Krujës figuronin vetëm 9 persona, por jo Shota. (Më hollësisht shih: durreslajm.com/aktualitet/durres-i-shumekerkuari-ne-itali-le-me-gisht-ne-goje-blute-krutane#sthash.OG2Ko46i.dpuf)
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





