Një ngjarje e rëndë u shënua në orët e vona në Skrapar, ku një 57-vjeçar me probleme të shëndetit mendor u mbyll në shtëpinë e tij në katin e parë të një pallati pasi qëlloi me armë zjarri duke terrorizuar banorët, por qëlloi edhe ndaj policisë kur efektivët mbërritën në vendngjarje.
Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk pati të lënduar, por situata ishte e rrezikshme kur 57-vjeçari Hekuran Hoxha, u mbyll në shtëpinë e tij i armatosur.
Vetëm pas rreth 4 orësh ai arriti të dorëzohej dhe t’i bindej thirrjes së forcave të shumta që rrethuan pallatin, prej orës 20:40. Shtëpia e tij ndodhet në katin e parë të një pallati në lagjen “5 Shtatori”, ndërsa bashkë me të është dorëzuar dhe vëllai që ndodhej në shtëpi, të dy me probleme të shëndetit mendor.
Njoftimi i policisë
Rreth orës 20:40, në Skrapar, në lagjjen”5 Shtatori”, në katin e parë të një pallati, shtetasi H. H., rreth 57 vjeç, me probleme të shëndetit mendor, ka qëlluar disa herë në ajër me armë zjarri. Në vendngjarje shkuan menjëherë shërbimet e Policisë dhe shtetasi H. H., kur i ka parë punonjësit e Policisë, ka qëlluar në drejtim të tyre dhe është mbyllur në banesë. Shërbimet e Policisë kanë marrë masa sigurie dhe kanë rrethuar pallatin, duke i bërë thirrje që të dorëzohet, por deri në këto momente ai nuk i është përgjigjur thirrjeve të Policisë. Në ndihmë të Policisë vendore janë nisur forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit dhe një grup i negociatave të Reneas.





