Forcat RENEA po zhvillojnë një megaoperacion në Vlorë. Deri në këto momente janë shoqëruar 10 persona dhe janë prerë dy urdhër arreste. Mësohet se është arrestuar edhe Edison Begaj, i cili i shpëtoi atentatit të 29 majit në Kaninë.

 Begaj u qëllua mesnatën e 29 majit me 4 plumba në hyrje të banesës së tij duke mbetur i plagosur në këmbë. Autorët e pritën 38-vjeçarin derisa të kthehej në banesën e tij për t’a qëlluar me pistoletë. Begajt i erdhi në ndihmë nga errësira e madhe në zonë dhe plumbat e kapën në pjesën e poshtme të trupit.

Ende nuk ka detaje të tjera në lidhje me këtë aksion të madh policor.

Kush është Edison Begaj

Edison Begaj, 38-vjeçari nga Vlora që i shpëtoi atentatit pasi u qëllua me katër plumba në hyrje të banesës në Kaninë, rezulton një emër i njohur për drejtësinë.

Ai ka qenë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit. OFL i ka dërguar Edison Begajt formularin për deklarimin e pasurisë.

Më 20 shkurt të vitit 2008, “blutë” e Vlorës arrestuan 7 persona mes të cilëve edhe Begajn, si pjesë të një grupi që merrej me trafikim droge nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

Në shkurt të 2010 Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë e ka dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e municioneve luftarake”.

Ndërkaq, edhe në vitin 2015 Begaj u kap me 50 kg lëndë narkotike të llojit marijuanë “çokollatë”, në vendin e emërtuar “Qafa e Kuzum Babasë”.