Rënia e euros vijoi më tej ditën e sotme, duke e çuar monedhën europiane në një minimum të ri historik në kursin e këmbimit me lekun.
Kursi zyrtar i këmbimit, i publikuar nga Banka e Shqipërisë, zbriti në 110.73 lekë, në rënie të mëtejshme me 0.21 pikë krahasuar me ditën e martë. Që nga fillimi i vitit, kursi i këmbimit të euros ka rënë me 3%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë zhvlerësimi i euros ka arritur tashmë në 8.1%.
Sipas agjentëve të tregut, faktori kryesor i rënies së vazhdueshme të euros ngelet oferta e lartë e monedhës europiane.
Kjo është një periudhë e vitit kur oferta e euros ka tendencën të rritet, për shkak të faktorit sezonal dhe shtimit të turizmit hyrës. Megjithatë, agjentët mendojnë se një ndikim në rritjen e ofertës për valutë mund të kenë edhe zgjedhjet e afërta lokale. Sipas tyre, në disa zona të vendit vërehet një fluks i shtuar i këmbimeve të euros në pikat e këmbimit valutor.
Pa nisur ende mirë sezoni veror, euro tashmë po i afrohet kufirit të 110 lekëve, duke u zhvlerësuar përtej parashikimeve të analistëve financiarë në fillim të këtij viti. Nëse mbështetemi në të dhënat historike, gjasat janë që kursi i këmbimit të euros të bjerë më shumë deri në fillim të muajit gusht, kur zakonisht sezoni veror dhe prurjet valutore të lidhura me turizmin arrijnë pikun e tyre.
Pas një takimi me përfaqësues të bizneseve eksportuese, Banka e Shqipërisë theksoi edhe njëherë në fillim të kësaj jave se kursi i këmbimit të euros është rezultat i ekuilibrave normalë të kërkesës dhe ofertës në treg dhe nuk vëren asnjë çbalancim apo faktor tjetër që do të justifikonte ndërhyrjen në treg.
Në të shkuarën, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor kanë ndodhur kur ritmet e ndryshimit ditor të kursit kanë qenë tepër të shpejta dhe kur spread-et (marzhet e këmbimit valutor) mes kursit në blerje dhe atij në shitje të agjentëve kanë arritur në të paktën pesë pikë. Aktualisht, nuk vërehet një situatë e tillë dhe spread-et e tregtimit të valutës janë pranë niveleve të tyre normale (rreth 0.5-0.7 pikë për bankat dhe zyrat e mëdha të këmbimit valutor).
Për momentin, forcimi i vazhdueshëm i lekut është i volitshëm në funksion të objektivit të uljes së inflacionit dhe të reduktimit të borxhit publik. Gjithashtu, leku i fortë po ndikon pozitivisht buxhetet e familjeve dhe bizneseve që kanë kredi në monedhën europiane dhe po ndihmon edhe ruajtjen e cilësisë së portofolit të kredisë së sektorit bankar, në kushtet e rritjes së normave të interesit.
Nga ana tjetër, forcimi i paprecedentë i lekut po vendos në vështirësi sektorët eksportues të ekonomisë, duke i ekspozuar ndaj humbjeve të konsiderueshme dhe duke i bërë më pak konkurrues në tregjet e jashtme.
Efektet më të forta mund të ndihen sidomos në sektorët e fasonerisë, që mbështeten kryesisht në forcën e lirë të punës dhe punojnë kryesisht me kontrata porositëse për përpunimin e inuputeve nga jashtë vendit. Forcimi i lekut po ndodh në një periudhë kur presionet për rritjen e pagave janë të larta, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, por edhe masave administrative, si rritja e pagës minimale ligjore.
Një ndikim negativ leku i fortë mund të japë edhe në sektorin e turizmit. Megjithëse turizmi hyrës po kalon momentet më të mira historike, leku i fortë rrezikon ta bëjë ofertën e Shqipërisë më pak konkurruese për turistët e huaj.
Efekti i lekut do të fortë mund të jetë veçanërisht shqetësues për familjet shqiptare që kanë varësi të lartë nga remitancat, duke qenë se në përgjithësi këto familje i takojnë shtresës me të ardhura të ulëta dhe me më pak burime të tjera alternative. /Monitor