“Le roi est mort, vive le roi” (Mbreti vdiq, rroftë mbreti), kështu Klan TV braktis ish-liderin demokrat, transmeton serial turk

TIRANË, 26 qershor 2013 – Ishte një shfaqje mbresëlënëse dorëheqja Dr. Prof. Sali Berishës, lideri i padiskutueshëm i PD-së, politikani – ikonë i një epoke 22-vjeçare të pas-komunizmit shqiptar, ku nuk mungoi dhe tragjizmi, i shprehur mes ngashërimeve të një grupi vajzash të selive të PD-së dhe qeverisë.

Shumë pak njerëz besonin rënien e “lisit”, shumë militantë nuk donin të besonin, as dhe kur ai shqiptoi frazën: “Ne i humbëm këto zgjedhje; për këtë humbje gjithë përgjegjësia bie mbi mua; vetëm mbi Sali Berishën. Duke marrë përgjegjësitë që më takojnë, jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mia në PD”.

Gjithsesi, dhe pse kishte një fjalim të shkruar dhe të peshuar (gjë e rrallë për të), Doktori ishte kundërthënës brenda një ligjërate: “Nuk janë arritjet tona arsyeja, pse nuk na votuan shqiptarët; jam i sigurt që çdo shqiptar ndihet krenar; PD do të dijë të lexojë me përulësi votën e çdo shqiptari”.

Nëse “nuk janë arritjet” pse nuk votuan PD-në shqiptarët, pse atëherë “PD-ja do të dijë të lexojë me përulësi votën e çdo shqiptari”?

Ndërkaq, Berisha bën një akt kalorësiak, duke i ia kthyer me të njëjtën monedhë pasardhësit të vet, Edi Rama: “I uroj fituesit mbarësi në detyrën e tij të lartë dhe uroj që qytetarët të gëzojnë një jetë gjithmonë e më të mirë”.

Vdiq mbreti, rroftë mbreti!”

Jo vetëm kanalet informative, Vizion Plus, por edhe TVSH dhe TCH si stacione me licencë kombëtare, dhanë drejtpërdrejt një ngjarje të rrallë me rëndësi historike (pas atij të Fatos Nanos në vitin 2005), sikurse është largimi nga udhëheqja e PD-së.

Por, çuditërisht, Klan TV, që ka përfituar miliona nga reklamat e PD-së, por thjesht dhe si stacion me licencë kombëtare, nuk e transmetoi ngjarjen. Kanali më pro-Berishë, deri në pështirosje, gjeti të arsyeshme të transmetonte serial turk.

Klani u licencua nga “mbreti” Nano, u fuqizua nga “mbreti” Berisha. Tani iku “mbreti” i dytë! Rroftë “mbreti” i tretë Rama!

Ngel gjithmonë aktuale në mbarë botën fraza “Le roi est mort, vive le roi” (Mbreti vdiq, rroftë mbreti), që u përdor për herë të parë pas hipjes në fronin francez të Sharlit (Charles) VII pas vdekjes së atit të tij, Sharl VI në vitin 1422.

Pjesë nga fjala e Berishës

GJITHË PËRGJEGJËSIA BIE MBI MUA

Qytetare dhe qytetarë, mbështetës të PD, shqiptarë dhe shqiptare kudo që jeni.

Jam para jush një mesazh, duet ë theksoj një mesazh të vonuar, sepse kam dashur të respektoj punën me vetëmohim të madh të komisionerëve, proces që po shkon drejt fundit.

Mirënjohjen pa kufi ndaj qindra dhe mijëra qytetarëve, të reja të rinj, burra dhe gra, që më shoqëruan nga Koshovica në Tropojë me mikpritjen më fisnike, që kam provuar ndonjëherë, në pikë të vapës, shtrënguam duart, shkëmbyem mendime, ndoqën me vëmendje alternativën tonë dhe më bënë si dhuratë fushatën elektorale më të bukur, më të pasur dhe masive të jetës sime.

Jam përpjekur të bëj më të mirën.

Kam punuar me përkushtim dhe entuziazëm edhe më të madh se herët e tjera.

Dua të përulem me nderimin më të madh para militantëve të PD.

Ata janë energjia më e pashtershme e PD dhe gjithë betejave të saj.

Dua të përgëzoj shtabet elektorale, komisionerët tanë, gjithë qytetarët shqiptarë që në këto zgjedhje votuan për kandidatët e saj, vendosën besimin e tyre te Sali Berisha dhe çdo shqiptar që votoi sistemin tonë pluralist.

Qytetarë, që keni mbështetur PD, ju po ndiqni jo pa trishtim fjalën time, se me të drejtë prisnit diçka tjetër nga unë.

Jam jo për të komunikuar rezultatin, se është njohur dhe pranuar nga unë dhe PD.

Në karrierën time e kam ndjerë veten si shërbëtori juaj dhe e kam konsideruar këtë privilegjin më të madh të jetës. 

Gjithnjë kam vendosur t’i bindem sovranit.

Në këto zgjedhje ne paraqitëm para qytetarëve një projekt konkret për Shqipërinë vend i zhvilluar, për punësimin.

Premtimet e opozitës për heqje taksash nuk mund t'i bënim, sepse në filozofinë tonë bien ndesh me konkurrencën e ndershme, barazinë sociale.

I uroj fituesit mbarësi në detyrën e tij të lartë dhe uroj që qytetarët të gëzojnë një jetë gjithmonë e më të mirë.

Kemi punuar fort, unë jam përpjekur me mish dhe me shpirt të bëj më të mirën.

Ne i humbëm këto zgjedhje; për këtë humbje gjithë përgjegjësia bie mbi mua; vetëm mbi Sali Berishën.

Duke marrë përgjegjësitë që më takojnë, jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mia në PD.

Të jem njëri prej jush, një deputet i PD, si opozitë për programin e PD dhe ta shndërrojmë një program.

Nuk është fjalim lamtumire, i tillë nuk është.

Nga unë PD dhe mbështetësit e saj nuk do dëgjojnë një fjalim lamtumire, sepse unë nuk do ta lexoja kurrë.

Jemi të mërzitur, kemi humbur një betejë; sot është e domosdoshme të qëndrojmë më të bashkuar se kurrë.

Detyra të mëdha na presin që ta shndërrojmë çështjen tonë të drejtë në çështje të të gjithë shqiptarëve.

Pata fatin e madh të më besoni drejtimin e PD për 22 vjet.

Jemi dhe do jemi krenarë, sepse së bashku me kurajë me guxim themeluam në kushte terrori PD si parti e parë opozitare, me ëndrrat më të bukura të shqiptarëve.

Jemi dhe mbetemi përjetë krenarë për gjithçka që kemi bërë do vazhdojmë të bëjmë.

Ne bëmë realitet ëndrrën e lirisë për shqiptarët dhe dinjitetin e tyre njerëzor.

Ne sanksionuam lirinë e besimit, liria njerëzore, kryefjalë e agjendës sonë.

Sot shqiptarët janë më të mirë se kurrë.

Në një kohë të shkurtër arritëm të vendosim çështjen e lirisë në Kosovë në agjendën e  kancelarive të Europës.

Me parullën një komb një qëndrim mbështetëm luftën dhe lirinë e Kosovës.

Të gjithë duhet të jemi krenarë me PD.

Shqipëria sot është e aderuar në organizatat më të mëdha në botë.

Ne bëmë të vërtet anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, lëvizjen e lirë pa viza, dhe së fundi rekomandimet për statusin e vendit kandidat.

Ne hodhëm themelet dhe konsoliduam në Shqipëri shtetin ligjor.

Ne sot të gjithë së bashku duhet të ndjehemi krenarë me PD, sepse ne, pasi humbëm pushtetin për shkak të firmave piramidale në 1997, qëndruam në opozitë dhe në 2005 hodhëm poshtë qeverinë aktuale me votën e shqiptarëve.

Rrogat dhe pensionet e shqiptarëve ishin të ulëta dhe qesharake.

Detyra ishte shumë e vështirë.

Shqipërisë pothuajse askush nuk i besonte.

Ne ndërtuam rrugën e Arbrit, autostradën Tiranë – Elbasan dhe do të ndërtojmë gjysmën tjetër të boshtit të jugut në mandatin e ardhshëm.

Duhet të jemi krenar me PD, sepse ne ndërtuam qindra ujësjellës dhe natyrisht mbetet ende shumë punë për të bërë.

Duhet të jemi krenarë, sepse sot disa nga treguesit janë në nivelin e disa vendeve të zhvilluara.

Këto vite të qeverisjes tonë ishin vitet më të vështira për shkak të krizës ekonomike, dhe qeveria tonë i rezistoi.

Janë në ndërtim e sipër 120 hidrocentrale, si kaskada e Devollit; kemi ndërtuar qindra rrugë, shkolla;  me 45 mijë projekte, që mbështetëm, kemi bërë të mundur në këtë kohë të shkurtër të katërfishohet toka e punuar në fshat; jemi në 10 vendet më me rritje të turizmit në planetin tonë; me projektin tonë “Shqipëria vend i zhvilluar”, qe vendi me penetrimin më të ulët të internetit 4,8%, të telefonisë celulare; Shqipëria digjitale ishte ëndrra e të rinjve shqiptarë, sot ata komunikojnë më shumë se të rinjtë e disa vendeve të zhvilluara të Europës.

Miqtë e mi, demokratë dhe demokratë. Vetëm pak vite më parë, ora europiane dhe euro-atlantike ishte e ndaluar.

Së bashku morëm reformat më të thella; konsoliduam shtetin ligjor, anëtarësuam Shqipërinë në NATO; nisëm punën serioze për liberalizimin e vizave me ShBA.

Edhe në këto dy mandate kemi folur me vepra, që kanë krijuar një Shqipëri tjetër, ndërtimin e të cilës do jemi të gatshëm ta vazhdojmë, janë vepra që kanë ndryshuar përgjithmonë Shqipërinë tonë.

Nuk janë arritjet tona arsyeja, pse nuk na votuan shqiptarët; jam i sigurt që çdo shqiptar ndihet krenar; PD do të dijë të lexojë me përulësi votën e çdo shqiptari.

Me lidershpirin e ri, një fillim të ri të fuqishëm.

Mirënjohje për bashkëpunëtorët e mi të mrekullueshëm, me integritet moral. Mirënjohje të pakufishme miqve tanë.

Një mirënjohje të pakufishme shqiptarëve, që këto 22 vite kanë vendosur votën, besimin e tyre te mua, çfarëdo që të bëj, s’mund t’ua shpërblej dot.

Kam dhjetëra, mijëra mesazhe në Facebook, të cilët më kërkojnë që kësaj here të heq dorë nga vendimi që kam marrë, por i ftoj që bashkë me energji dhe entuziazëm të mbrojmë kauzën tonë dhe ta bëjmë kauzë të mendjeve dhe zemrave të shqiptarëve.

Arritjet e Shqipërisë nën qeverisjen e PD do kishin qenë të pamundura pa solidaritetin e institucioneve ndërkombëtare.

Mirënjohjen më të thellë për këtë solidaritet, që u kanë treguar shqiptarëve; mirënjohje pa kufi ShBA, aleatin më të madh të shqiptarëve.

Në përputhje me Kushtetutën e vendit deri në shtator do të punoj me përkushtim të madh dhe për përgatitjen e lidershpit të ri bashkë me strukturat e PD dhe të ecim drejt fitores më të re, që na pret.

Zoti bekoftë PD, mbështetësit e saj, Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë!

Faleminderit!

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/