Amirhossein Maghsoudloo, një reper i mirënjohur iranian që njihet me emrin skenik Tataloo, është dënuar me burgim, njoftoi avokatja e tij dhe mediat iraniane.

Por të dhëna të hollësishme për kohëzgjatjen e dënimit të tij me burgim mbesin ende të paqarta.

Avokatja e Tataloot, Elham Rahimifar, tha për agjencinë e lajmeve ISNA se reperi përballet me dënim me burgim edhe afatshkurtër, edhe afatgjatë, bazuar në një aktvendim të fundit, ndaj të cilit ai ende mund të ankohet.

Akuzat dhe hollësitë e dënimit të tij nuk janë bërë të ditura nga mediat e gjyqësorit, e as nga avokatja e tij.

Gjyqin ndaj Tataloo, gjatë të cilit u mbajtën tre seanca, e udhëhoqi gjykatësi Iman Afshari.

Sipas agjencisë së lajmeve Mizan, e cila është e lidhur me gjyqësorin e Iranit, reperi u dënua me tre vjet burgim në lidhje me një rast të mëparshëm për “fyerjen e të shenjtës”, një akuzë që mund të përfshijë një sërë shkeljesh të perceptuara, nga blasfemia deri te mosrespektimi i vlerave islame të Iranit.

Mizan gjithashtu raportoi se asnjë individ nuk ka bërë ankesa kundër Tataloo në këtë rast të veçantë, megjithëse agjencia më herët kishte thënë se kishte pasur “ankesa të shumta” kundër tij, përfshirë nga të miturit dhe familjet e tyre.

Gjykimi ndaj Tataloo nisi në mars nën akuzat për promovimin e “paturpësisë”, publikimin e “propagandës kundër Republikës Islamike të Iranit” dhe përhapjen e “përmbajtjes së turpshme”.

Në një komunikatë muajin e kaluar, hetuesi i rastit tha se Tataloo ka shprehur “pendesë”, duke theksuar se reperi kishte shkruar një letër pendese dhe kishte shprehur dëshirë për t’u martuar, për ta nisur një familje dhe për të bërë muzikë në mënyrë më të pranueshme.

Tataloo, 36 vjeç, jetoi në Stamboll nga viti 2018, por në dhjetor 2023 u ekstradua në Iran nga autoritetet turke. Ai është mbajtur në paraburgim në Iran prej atëherë./REL