Kryebashkiaku i fundit demokrat i Durrësit, Arqile Gorea është ndeshur në një debat me kreun e bashkisë Vangjush Dako, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Gorea kërkoi një mbledhje të posaçme të këshillit me qëllim bërjen transparente të fondeve publike të bashkisë së Durrësit.

Gorea mori shembull SHBA-të, ku tha se "qytetarët paguajnë taksa ashtu siç iu kërkohet nga qeveria federale  dhe  qeveria lokale. Qytetarët paguajnë edhe në Shqipëri e duan të dinë ku shkojnë taksat e tyre, prandaj kërkoj që edhe Këshilli Bashkiak i Durrësit të bëjë transparente fondet," tha ai.

Vangjush Dako iu përgjigj se kur bashkia kërkoi që të djathtët të vinin në Këshill e të bënin propozime për paketën fiskale, ata nuk u paraqitën.

Gorea: Amerikanët për dy gjëra janë të sigurtë, do vdesin e do të paguajnë taksa, por ama thonë që qytetarët janë tepër të sigurt sepse si qeveria qendrore edhe ajo lokale do japin llogari një më një ku shkojnë taksat e tyre. Ne shikojmë që po mbushet thesi i bashkisë. Duhet të shikojmë ku shkojnë këto taksa. Si ish-kryebashkiak dhe këshilltar i vjetër një seancë të veçantë t’ia kushtojmë orientimit të taksave.

Dako: Ju dilni e flisni këtu jo do rregullojmë Durrësin e ndërkohë që i keni patur të gjithë instumentat dhe mundësitë që të vinit në mbledhjen më të rëndësishme që bën Bashkia e Durrësit, ajo që është e miratimit të buxhetit të vitit 2018. Ju nuk erdhët e nuk keni as më të voglën përgjegjësi. As nuk doni t’ia dini për qytetarët e Durrësit. Po të kishte, do kishe ardhur e do kërkojë llogari ku shkojnë fondet, pse nuk bëhen rrugët e kanalet, e nuk do ta miratoje me votë. Ti ndaj votuesit tënd nuk ke asnjë përgjegjësi! Këtë ta thoje atë ditë! Ke qenë kryetar bashkie e kjo nuk të falet. Këtyre të tjerëve unë ua fal por jo ty! Ty as nuk të fal e as nuk të mirëkuptoj, sepse duhet të ishe më i përgjegjshëm për paratë e bashkisë së Durrësit për investimet. Ke qenë vetë në këtë karrige dhe e di shumë mirë rolin e detyrën e kryetarit të bashkisë!

Gorea: Edhe unë sikur ta bëj për demagogji, ju duhet ta bëni një seancë transparence. Ku shkojnë paratë?

Dako: Ti bën demagogji, mblidh firmat e këshilltarëve të tu dhe e mbledh Këshillin Bashkiak!

Gorea: O Vangjush, kij parasysh që unë jam këshilltar, nuk jam punëtori yt!

Dako: Mos do të më bësh mua skllavin tënd ti?

Gorea: Këtu po flasim për të mirën e qytetit, dhe unë me dashamirësi po të them: Hajde të shikojmë se si mund të përdoren këto para për jetën e qytetarëve të Durrësit.

Dako: Miratuam buxhetin e ju lajmëruam 10 ditë përpara. Ju thamë ja kush janë financat tona të këtij viti. Ju thamë merrin dhe shpërndajini ku mendoni ju së bashku të gjthë këshilltarët. Asnjëri nga ju nuk erdhi. Ja çuam edhe Telitit. U kërkuam kryetarëve të grupeve.

Gorea: Pse të djeg?

Dako: Më djeg se ti gënjen. Ti nuk ke përgjegjësi. Ti vjen këtu e flet çfarë të duash. Ne këtë procedurë e kemi bërë që në dhjetor të 2017!