Nga Gladiola Busulla

12 nëntor 2013- Vdekja e prof. Matish Gjelucit ka privuar kulturën dhe qytetarinë durrsake nga prezenca e një figure të nderuar dhe poliedrike. Një jetë e tërë kushtuar shkrimeve, refleksioneve, librave, pedagogjisë, miqve që i kishte të shumtë. Kontributi që ka dhënë në institucionin që unë drejtoj aktualisht, pra në Qendrën Kulturore të Fëmijëve apo thënë ndryshe ish- Shtëpia e Pionerit mbetet i paçmuar. Në festivalet e fëmijëve, në festat e abetareve, në festat e 1 qershorit nuk mund të mungonte assesi pena e dashur e prof. Matishit. Ai ishte mik i fëmijëve dhe duke shkrirë fjalën artistike me muzikën e bukur të Agron Xhungës, Ylli Ramzotit, Vasil Memës apo të të ndjerit Nazmi Mici ka krijuar ndër vite një repertor këngësh simbol që mbetën të paharruara në vetëdijen kulturore të fëmijëve të qytetit.

“Një njeri mund të vdesë,
kombet mund të lindin e të shuhen,
por një ide jeton përgjithmonë”,
– kështu shprehej J. F. Kennedy.

Dhe në fakt romani “Rrjedhë” i publikuar në vitin 2008 la mbresa të pashlyeshme tek të gjithë ata që e lexuan. Kritika e vlerësoi me të drejtë si një ndër veprat më të arrira në letërsinë shqipe, mbi të gjitha për gegnishten e ambël e të çliruar nga paragjykimet që trandit zemrat e lexuesve.

Prof. Matishi u largua nga jeta duke lënë një ndjenjë boshllëku tek të gjithë  ata që e njihnin. Vdekja e një njeriu sjell gjithmonë trishtim, por vdekja e një mësuesi, e një shkrimtari, e një poeti varfëron shoqërinë; sepse një pjesë e diturisë varroset përgjithnjë bashkë me të.Ndaj dhe Qendra Kulturore Kulturore e Fëmijëve do të ruajë gjithnjë respektin, mirënjohjen dhe konsideratën më të madhe për figurën e profesorit Gjeluci, kujtimi i të cilit meriton të vlerësohet maksimalisht.Dhe për ta përmbyllur disa vargje si përkushtim në nderim të punës dhe krijimtarisë së tij:

 Një poet vdiq.

Sytë përmbyllën

shkëlqimin.

Psherëtima e fundit.

E tash,

Një heshtje e thellë.

Zbrazëtirë.

Metaforat

Ngjiten drejt qiellit.

Poezi e gjysmë-shkruar.

Vargu i fundit

Drithërimë.

Në 1000 shpirtra.

Ngjall 1000 emocione.

Tinguj këmbanash.

Sipari bie.