Instituti i Gjeoshkencave ka bërë një parashikim në lidhje me motin dhe rrezikun për reshje dhe përmbytje gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme.

Në një postim në rrjetet sociale, Instituti parashikon se sot pasdite (e martë, dt. 06) dhe nesër (e mërkurë, dt. 07) priten reshje intensive kryesisht në veri dhe jug të vendit.

Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.
Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë të rëna gjatë ditëve të kaluara, të cilat do të vazhdojnë deri ditën e enjte dt.08 Janar, do të ketë rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni Shkodrës, lumi Mat, Shkumbin dhe Vjosë.
Lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë rrezik të shtuar për përmbytje në vazhdim të ditës së sotme dhe të nesërme.