Reshjet e shiut dhe borës gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit kanë sjellë përkeqësim të situatës në disa zona të qarkut Korçë, duke shkaktuar problematika në qarkullim, rritje të niveleve të lumenjve dhe rrëshqitje dherash.
Në Bashkinë Kolonjë, reshjet e borës kanë nisur që prej orës 03:30 me intervale. Qarkullimi në akset Ersekë–Leskovik dhe Ersekë–Korçë vijon normalisht, ndërsa borëpastrueset janë në terren.
Në zonën e njohur si Gropat e Gëlqeres, rreth 5 kilometra nga Erseka në aksin Ersekë–Leskovik, është konstatuar rrëshqitje e pjesshme e rrugës. Në zonë është vendosur sinjalistikë dhe shërbime policore, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të lëvizin me kujdes. Ndërkohë, Hidrovori i Tushemishtit vijon punën me tre pompa, pasi njëra është jashtë funksionit. Niveli i ujit mbetet i lartë, por situata është nën kontroll.
Situatë më problematike paraqitet në Bashkinë Maliq, ku lumi Devoll ka dalë nga shtrati në disa pika të argjinaturës në zonën e Sheqerasit. Në Dunavec niveli i ujit është në maksimum, por pa dalje nga shtrati. Aksi Maliq–Lozhan, në zonën e Senishtit, ka qenë i bllokuar gjatë natës, por është pastruar; megjithatë, mbetet problematik për shkak të batisjeve dhe rrezikut për trupin e rrugës.
Rrëshqitje dherash raportohen edhe në Mesmal, me bllokim të rrugës, ndërsa në Lozhan të Lartë ka rënie gurësh dhe është aktivizuar rrëshqitja në zonën e Kakaçit. Rezervuarët janë nën monitorim të vazhdueshëm dhe në Leminot është hapur lëshuesi katastrofik pasi u arrit kuota maksimale. Në këtë bashki kanë nisur edhe reshje bore me trashësi rreth 2 centimetra.
Bashkia Korçë
Në Bashkinë Korçë, rruga për në Denas vijon të mbetet problematike si pasojë e situatës së mëparshme, megjithatë niveli i ujit ka rënë ndjeshëm dhe aktualisht nuk paraqet rrezik për banesat.
Bashkia Devoll
Në Bashkinë Devoll, situata më e rënduar raportohet në njësinë administrative Proger, përfshirë fshatrat Proger, Maqurisht, Cangonj dhe Shyec, për shkak të rritjes së prurjeve të ujit.
Bashkia Pogradec
Probleme të shumta janë evidentuar edhe në Bashkinë Pogradec. Në njësinë administrative Dardhas, rruga që lidh fshatin është e pakalueshme, ndërsa mungon energjia elektrike në të gjitha fshatrat e njësisë. Rrëshqitje rruge është raportuar në zonën e Grunjazit. Po ashtu, probleme janë shënuar në lumenjtë Rëmenj dhe Verdovë, veçanërisht në zonën e unazës së qytetit, ku qarkullimi është kufizuar në një kalim. Në njësinë administrative Çërravë, lumi i fshatit ka fryrje të konsiderueshme, por deri tani nuk raportohen dëme. Rrëshqitje dhe bllokime rrugësh ka edhe në aksin Qukës–Qafë Plloçë dhe në disa fshatra të njësisë administrative Proptisht, ku po punohet për hapjen e tyre. Reshjet e shiut në këtë zonë po shndërrohen gradualisht në reshje bore.
Akset rrugore
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, në akset Korçë–Ersekë dhe Ersekë–Leskovik kanë nisur reshje bore dhe po punohet për pastrim dhe kriposje. Në aksin Maliq–Kufi i Gramshit ka reshje shiu, shoqëruar me rënie gurësh dhe inertesh, ndërsa po kryhen punime për pastrimin e rrugës. Aksi Korçë–Voskopojë është pastruar dhe kriposur dhe qarkullimi vijon normalisht. Në segmentin Boboshticë–Dardhë ka reshje bore dhe mjetet janë në terren për pastrim dhe kriposje, ndërsa në akset Bilisht–Miras dhe Zemblak–Goricë reshjet e shiut janë me intensitet të ulët dhe nuk raportohen problematika.





