Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit ka pasur reshje shiu dhe dëbore në rajonin verior të vendit.

Në aksin Tamarë-Vermosh, në Valbonë, në Bajram Curri-Kam, Bajram Curri-Fierzë dhe në Qafë Thore-Theth ka pasur reshje dëbore, por qarkullimi kryhet pa probleme.

“Kontraktorët me mjete e punëtorë janë në terren për të mbajtur qarkullimin në normalitet”, njoftoi ARRSH.

Autoriteti Rrugor bën thirrje për kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit në kohë me reshje, pajisjen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtohet për në zonat malore, ulje të shpejtësisë, respektim të sinjalistikës dhe udhëzimeve të Policisë Rrugore.