Reshjet e borës kanë vazhduar gjatë gjithë natës dhe këtë të martë në mëngjes në zonat malore të vendit.

Parku Kombëtar i Llogarasë ofron pamjet e këndshme, teksa manteli i bardhë ka mbuluar gjithçka dhe trashësia e borës arrin në 20 centimentër.

Ndërkohë, nuk raportohet për probleme në qarkullimin e automjeteve. Rruga është e kalueshme, megjithatë kërkohet kujdes nga drejtuesit e mjeteve.

Reshjet e borës kanë vazhduar me intensitet më të lartë në veri dhe verilindje të vendit.

Në Kukës, kontraktorët po punojnë për pastrimin e borës së mbartur nga era në segmente të ndryshme, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të tyre.

Rrugët nacionale janë të kalueshme normalisht, ndërsa rrugët rurale në administrim të bashkive janë të kalueshme.

Furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike është normal në gjithë qarkun e Kukësit.

Edhe zonat malore të qarkut të Elbasanit janë mbuluar nga bora. Në aksin nacional Librazhd-Peshkopi dhe Librazhd-Qarrishtë, Labinot Mal-Benë, Prrenjas Qukës-Skënderbe kalohet me zinxhir.

Ndërkohë, në juglindje, reshje bore ka pasur në lartësinë mbi 1000 metër mbi nivelin e detit. Trashësia e borës në Korçë varion nga 5 deri në 12 centimentër, ndërsa temperatura minimale arrin -4 gardë Celsius.

Qarkullimi i mjeteve në akset rrugore nacionale dhe turistike si Korçë-Ersekë –Leskovik, Korçë- Dardhë, Korçë-Voskopoje  kryhet pa probleme dimërore, pore rekomandohet përdorimi i gomave dimerore.

Aktualisht në qarkun e Korçës, temperaturat mesatare janë -2 gradë Celsius.

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se qarkullimi kryhet pa probleme në të gjitha akset nacionale pasi është punuar me pastrimin dhe shpërndarjen e kripës.

“Drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë kujdes në lëvizje, për shkak të lagështisë dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore”, shkruan ARRSH.