Reshje të shumta dëbore kanë përfshirë nga dita e djeshme pjesë të konsiderushme në Veri dhe Juglindje të vendit tonë. Në rajonin e Korçës, kryesisht në Dardhë dhe Voskopojë, trashësia e dëborës, në lartësitë mbi 800 m, ka mbërritur nga 15-30 cm.
Burime nga Autoriteti Rrugor Shqiptar bëjnë të ditur se gjatë gjithë natës më shumë se 15 mjete borëpastruese kanë punuar për të mbajtur të hapura akset rrugore Korçë – Dardhë, Korçë – Voskopojë, Kamenicë – Ersekë dhe Zëmblak – Dogana e Gorices se Madhe. Të njëjtat burime thanë se rruga e re nga Maja e Qafë Qarrit deri në hyrje të Ersekës është e bllokuar. E gjithë kjo situatë është krijuar, sipas të njëjtit burim, për shkak të mos mbylljes së procedurave për marrjen në mirëmbajtje nga ana e firmave komtraktore të rrugës së re që lidh Korçën me Ersekën.
Edhe në Bulqizë dhe Baipasin e Murrizit në rrugën e Arbrit ka pasur reshje të dendura dëbore, e cila është shoqëruar edhe me rënie temperaturash dhe erëra të ftohta. Pas reshjeve të shumta të dëborës, ka pasur në disa zona probleme në furnizimin me energji elektrike në fshatrat e njësive administrative Vithkuq e Lekas në bashkinë e Korçës, Dardhas në bashkinë e Pogradecit e Leskovik në bashkinë e Kolonjës. Grupe të OSSHE kanë shkuar në terren për të rikthyer energjinë elektrike.