KORCË– Reshje bore në të gjitha zonat e vendit, probleme me qarkullimin në disa akse rrugore si pasojë e ngricave në rrugë.
KUKËS, KALIMI I MJETEVE VETËM ME ZINXHIRË
Në zonën verilindore kanë rinisur në orët e para të mëngjesit reshjet e dëborës, por intensiteti i ulët i tyre ka bërë që dëbora në qytetet verilindore vetëm sa është shfaqur, ndërsa në zonat rurale trashësia e saj nuk është më shumë se 20 centimetër.
"Dëbora e rënë nuk ka shkaktuar ndonjë shqetësim, të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, ndonëse me rënien e temperaturës lëvizja e mjeteve kërkohet të kryhet me zinxhirë", thotë përgjegjësi i zyrës së emergjencës civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema.
Sipas tij, në afërsi të tunelit, në Qafë Shllak, në zonën e Shishtavecit, Kalisit, Grykë Cajës etj, trashësia e dëborës ka arritur në rreth 20 centimetra. Megjithëse reshjet e dëborës kanë pushuar është e domosdoshme që lëvizja e mjeteve të kryhet me mjetet dimërore dhe përdorimin e zinxhirëve si në akset rrugore Kukës – Qafë Shllak – Qafë Mali, Bajram Curri – Qafë Mali, Kukës – Shishtavec, Kukës – Bushtricë, Kukës – Krumë – Bajram Curri, Bajram Curri – Valbonë. Ndërsa është normale lëvizja e mjeteve në segmentin e autostradës Morin – Kukës – Tunel edhe pse në afërsi të tunelit trashësia e dëborës ka arritur në rreth 20 centimetra. Situata është normalizuar menjëherë nga borëpastrueset.
"Pavarësisht reshjeve të dëborës të rishfaqura, nuk ka patur ndonjë shqetësim, madje edhe në rrjetin elektrik. Ndërsa po punohet për mbajtjen e situatës nën kontroll edhe në rast se reshjet e dëborës vazhdojnë".
KORCE, RESHJE TE DENDURA BORE
Në Qafë Thanë trashësia e borës arrin në 10-15 cm borë, ndërsa po punohet për heqjen e borës nga rruga. Reshje bore ka pasur në të gjithë Qarkun e Korçës. Në zonat turistike bora arrin deri në 50 centimetra.
Kështu mësohet se Qafë Qarri dhe Qafë Plloça kalohen vetëm me zinxhirë. E kalueshme vetëm me zinxhirë është edhe rruga Korçë-Boboshticë, Korçë-Dardhë dhe Korçë-Voskopojë.
GJIROKASTËR, BLLOKOHEN DY KOMUNA
Reshjet e dendura të dëborës, që filluan mbrëmjen e djeshme, paralizuan dy komunat e qarkut të Gjirokastrës, Pogon dhe Zagori, bënë të ditur sot burime e policia lokale, në jug të vendit.
"Transporti rrugor në disa segmentet është bllokuar, ndërsa në disa akse të tjera rurale qarkullimi bëhet vetëm me zinxhirë", thuhet në komunikatën e policisë.
I njëjti burim tha se autoritetet vendase kanë marrë masat për të zhbllokuar rrugët e bllokuara nga dëbora.
"Më tepër se 25 centimetra dëborë ka rënë gjatë 12 orëve të fundit në komunat Zagori dhe Pogon, të cilat ndodhen mbi 700 metra mbi nivelin e detit", thekson policia.





