KORCE– Ulja e temperaturave në vend ka rikthyer reshjet e dëborës në qarkun e Korçës.
Sipas informacioneve nga verilindja e vendit, reshjet e dëborës të cilat kanë rënë përgjatë gjithë natës kanë shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore.
Mësohet se trashësia e dëborës në pikat turistike ka arritur deri në 50 centimetra duke bllokuar qarkullimin e mjeteve.
Kështu, sipas informacioneve mbeten të bllokuara nga dëbora aksi rrugor Korçë-Dardhë dhe aksi Korçë-Voskopojë.
Gjithashtu,probleme ka pasur edhe në akset rrugore Korçë-Ersekë,Korçë-Qafë Thanë ku qarkullimi i automjeteve bëhet vetëm me zinxhirë.
Probleme nga reshjet e dëborës ka pasur edhe në zonat rurale të qarkut të Korçës.
Kështu, më problematike paraqitet situata në komunën Lekas ku sipas informacioneve më të fundit kjo komunë mbetet e bllokuar nga dëbora.
Gjithashtu probleme ka pasur edhe në komunat Miras, Vithkuq, Liqenas, Lozhan ku kalimi i automjeteve bëhet vetëm me zinxhirë
Ndërkohë, vështirësi ka pasur edhe në qytetin e Korçës ku trashësia e dëborës ka arritur në 20 cm dhe policia rrugore u rekomandon drejtuesve të automjeteve të përdorin zinxhirat.





