Dëbora e parë që ka vijuar e pandërprerë prej disa orësh, ka zbardhur Malin e Tomorrit, Teqenë e Abaz Aliut dhe qytetin e Skraparit.
Peizazhi dimëror që ofron Tomorri është një ndër atraksionet kryesore dimërorë të qarkut të Beratit, që në çdo stinë ka interes të lartë nga vizitorët.
E zbardhur nga dëbora është edhe Teqeja e shenjtë e Abaz Aliut, që pret e përcjell çdo vit mijëra pelegrinë në javën e shenjtë. Edhe qyteti i Skraparit është mbuluar nga flokët e borës.
Si pasojë e reshjeve të rëna gjatë ditës, në Malin e Tomorrit trashësia e dëborës arrin në disa centimetër, ndërkohë që në rrugët e qytetit të Skraparit është e papërfillshme. Edhe pse drejt Malit të Tomorrit dhe Teqesë së Abaz Aliut dëbora ka arritur në disa centimetra, rruga është e kalueshme dhe makinat qarkullojnë pa probleme.





