Kryetari i PD-së, Sali Berisha tha sot se megjithëse reshjet e shiut ishin të paralajmëruara, kjo nuk e pengoi kryeministrin Rama dhe zv.kryeministren Balluku të importonin energji elektrike me 230 euro megavati.
“Në interpelancë po flet autori i vërtetë i dramës që po përjetojnë Shkodra dhe Nënshkodra, po flet njeriu që në pabesi, në mesnatë, pa informuar asnjë njeri, pa informuar sipas ligjit, autoritetet vendore, hapi të gjitha tunelet dhe portat e Komanit dhe Vaut të Dejës, dhe krijoi një dallgë përmbytëse të tillë që nuk e kishte parë Shkodra, dallgë e cila nxori nga themelet urën e vjetër të Bahçallëkut, monument kulture, dallgë që përmbyti në një kohë të shkurtër 500-600 banesa. Ky akt i mosnjoftimit është vepër penale.
Qëllimi ishte që përmbytja të mos i faturohej hapjes së digave dhe kaskadës, që me ligj bëhet përgjegjëse për dëmshpërblimin e banorëve.
E dyta, të fshihte faktin se për ditë të tëra nuk prodhoi energji elektrike, duke lejuar edhe rritjen e lartësisë së ujit në Koman, që është një liqen me kapacitet realisht të kufizuar dhe mbushet dhe stërmbushet nga lumenjtë e rrëmbyer brenda një kohe të shkurtër”, tha Berisha.
Sipas tij “reshjet ishin të paralajmëruara, por të gjitha këto nuk e penguan dyshen Rama-Balluku që të importonte energji me 230 euro megavati, në një kohë kur portat hapeshin dhe shkonin në det duke ndëshkuar shqiptarët. Pasi e kreu këtë akt, në vend që të kërkonte ndjesë, në vend që të premtonte se do dëmshpërblente dëmet një më një, duhet ta dini se të gjitha të mbjellat nën ujë, shkatërrohen, kryesisht kishte grurë. U shkatërroi të gjithë ekonominë me një akt pabesie në mesnatë, duke hapur dyert pa asnjë paralajmërim. Tani del në interpelancë dhe do bëjë krahasime të pakrahasueshme”.