SHIJAK, 15 mars 2013 – 13 familje në Shijak janë përmbytur si pasojë e daljes së lumit Erzen nga shtrati. Reshjet me intensitet të lartë të dy ditëve të fundit kanë rritur ndjeshëm nivelin e ujit të lumit Erzen, i cili ka përmbytur për herë të dytë brenda 6 javësh 13 familjet, shtëpitë e të cilëve janë të ngritura pranë rrjedhës së lumit. Niveli i lumit është rritur frikshëm gjatë orëve të natës duke krijuar panik tek banorët.

Shirat kanë shkaktuar vështirësi të shumta në lëvizje edhe në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit, ku më problematike situata paraqitet në zonën e Plazhit dhe atë të Shkozetit. Uji në shumë rrugë dytësore dhe në oborret e shtëpive arrin lartësinë disa cm duke krijuar problem për lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve.

Ndërkohë situata paraqitet mjaft e rënduar edhe në zona të tjera të qarkut të Durrësit, sidomos në komunat e rrethit të Krujës, Bubq dhe Thumanë, ku sipas autoriteteve janë përmbytur qindra hektarë tokë.

Shtabi i emergjencës dhe prefektura janë duke inspektuar edhe ditën e sotme situatën në terren dhe bëjnë të ditur se vlerësimi i dëmeve të përmbytjes së fundit do të bëhet sapo niveli i ujit të bjerë.

Një ditë më parë shiu i rrëmbyer që ra përgjatë gjithë ditës bllokoi shumë nga rrugët kryesore të qytetit dhe kufizoi në maksimum lëvizjen e qytetarëve. Kryqëzimi tek stacioni i trenit, rruga që të çon drejt Currilave, lagja 18 dhe mjaft akse të tjera rrugore ishin dje nën pushtetin e ujit.

/m.l. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/