DURRES, 14 mars 2013– Reshjet shkaktuan sot përmbytje të frikshme në qytetin e Durrësit.
Të gjitha rrugët dhe lagjet janë zhytur në ujë. Qarkullimi me autmjete thuajse nuk funksion, kurse qytetarët përvishen për të kaluar rrugët.
Reshjet kanë shkaktuar rrëshqitje në kodrën e Currilave, në qytetin e Durrësit.
Masive dheu kanë bllokuar plotësisht rrugën dhe për pasojë edhe qarkullimin e automjeteve në këtë zonë.
Më të rrezikuarat nga rrëshqitjet e dherave janë banesat dhe bizneset e ngritura në krahun e kodrës.
Rrëshqitjet në këtë zonë janë rishfaqur për të pestën herë gjatë këtij sezoni dimëror.
Rrëshqitjet në kodrën e Currilave në Durrës kanë nisur të shfaqen dukshëm pas viteve 2000, kur jo vetëm pranë rrugës, por edhe mbi kreshtën e saj filluan të ndërtoheshin godina abuzive.
Problematike dhe tepër shqetësuese paraqitet situate në qytet por edhe në periferit të Durrësit.
Aksi që lidh Shëtitoren Taulantia me Currilat është bllokuar nga të dyja anët e tij për shkak të shembjes së dherave.
SHTABI I EMERGJENCËS: NE RREZIK PËR PËRMBYTJE JANË DISA BANESA
Prefekti i qarkut bregdetar, Genc Alizoti, njëherësh edhe kryetari i Shtabit të Emergjencave Civile në shkallë qarku, deklaroi se, “problemet e shkaktuara nga reshjet e shiut janë më të dukshme në fshatrat e komunave Bubq dhe Fullanë, në rrethin e Krujës, ku janë përmbytur disa sipërfaqe tokë bujqësore, por fatmirësisht pa krijuar probleme në banesa.
Probleme të tjera për shkak të reshjeve janë shfaqur edhe në qytetin e Durrësit, kryesisht rrëshqitje dherash në kodrën e Currilave, si dhe në disa banesa në lagjen periferike në Porto Romano, në Durrës.
Ndërkohë që stacioni i pompave të Porto Romanos aktualisht vazhdon të punojë me kapacitet të plotë, ndërsa është ndërprerë puna në stacionin e pompave të Hammallajt, ndonëse në atë zonë, deri tani nuk janë shfaqur porobleme .
Prefekti i Durrësit kërkoi mbledhjen e Shtabit të Emergjencës së bashkisë së qytetit bregdetar, për marrjen e masave lidhur me rrëshqitjet në kodër Currila, si dhe banesat e ndodhura në zonat e përmbytura. Reshjet e shiut në Durrës, të cilat vazhdojnë të bien, sipas parashikimeve pritet të vazhdojnë përgjatë gjithë ditës, deri në mesnatë.





