Shirat e rëna gjatë këtyre ditëve të fundit kanë shtuar rrëshqitjet në rrugën Lalëz – Bizë të njësisë administrative Ishëm.
Rrëshqitjet e dheut janë të dukshme në 3 sektorë të këtij aksi, gjë që ka shkaktuar edhe ndërprerjen e udhëtimit të nxënësve me autobuz, të cilët një pjesë të kësaj rruge janë detyruar ta bëjnë në këmbë.
Bënorë të kësaj zone, që dërguan pranë redaksisë së “DurrësLajm” pamjet filmike të mëposhtme, bëjnë të ditur se shtresa e asfaltit të rrugës ka pësuar dëmtime të shumta dhe në disa vende dëmtimet shkojnë deri në gjysëm të njërës prej korsive së saj.
Nga po të njëjtat burime bëhet me dije se mjetet e rënda nuk kanë kaluar nëpër këtë aks pas rrëshqitjeve të tokës.
Reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar fryrjen e lumit Ishëm dhe Erzen, por deri tani nuk ka rrezik për përmbytje të tokave bujqësore.