Kryeministri Edi Rama ka marrë sot pjesë në nisjen e punimeve të resortit turistik me pesë yje në zonën e Gjirit të Lalzit.
Shefi i qeverisë tha se pas 25 vitesh, vendi ka një bazë për të ndërtuar turizmin dhe pas përfundimit të resorit do të punësohen 1500 persona.
“E vetmja strategji që shteti pati për turizmin në 25 vite ishte ç’organizmi i organizuar, lejimi ndërtimeve pa leje buzë detit, madje dhe brenda detit, ngritjen e strukturave hoteliere që nuk ishin për të pritur turistët e huaj. Një turizmi i zhvilluar me gjeneratorë, me plazhe të rrethuar me tela me gjemba dhe me ujëra të zeza që derdheshin në det dhe me një varfëri të jashtëzakonshme për të ardhme. Në këto tre vite nuk janë bërë mrekullira, pasi është e vështirë të ç’bësh gjërat që janë bërë për 25 vite. Por sot kemi një bazë për të ndërtuar turizmin që duam… Në 2016-n turizmi prodhoi 1.5 miliardë euro, duke u shndërruar në një shtyllë të rëndësishme.
Në këtë investim do të punojnë 1500 persona dhe falë këtij investimi ne do të nxisim dhe punimet për infrastrukturën e kësaj zone që lidh autostradën me të gjithë zonën. Për të investuar në këtë skenë mund të inkurajoheni dhe nga masa e fundit që ka marrë qeveria nga taksa 20 % në 6% dhe kështu paratë që kurseni nga kjo taksë mund t’i shfrytëzoni në infrastrukturë. Për mua nuk është thjesht se po ndërtohet një resort, por po ndërtohet për herë të parë një restot me 5 yje dhe po jepet modeli dhe shembulli për të tjerët”, tha Rama.





