Prej 4 muajsh vijojnë punimet për restaurimin e Kullës C në Kalanë e Durrësit, e cila u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Programi i Fondit të Ambasadorëve me një fond rreth 800 mijë dollarë po mundëson restaurimin e 4 objekteve të trashëgimisë kulturore shqiptare, mes të cilëve edhe Kulla C në Durrës.

Arkitekti i CHwB, Stavri Burda, i cili mbikqyr procesin e restaurimit, tregon për “DurrësLajm” se janë gati për ringritjen e muraturës me blloqe të rrëzuara.

Kemi bërë konsolidimin e të gjithë themeleve të Kullës C, kemi kryer riparime në zonën e brendshme dhe fugatime. Gjithashtu kemi kaluar në zonën e jashtme, kemi realizuar pastrime, konsolidime lokale etj”,– tha Burda.

Sipas Burdës, projekti pritet të përmbyllet pas 6 muajsh, pasi pavarësisht se punohet në ambient të jashtëm dhe jemi në stinën e vjeshtës dhe kemi dimrin përpara, moti i ngrohtë që karakterizon Durrësin, nuk mendohet të përbëjë problem për vijmësinë e punimeve.

“Punimet parashikohen të zgjasin edhe 6 muaj të tjerë, pasi gjatë hartimit të projektit kishim parashikuar një periudhë 11 deri në 12 muaj.”,- u shpreh Bruda.

Kulla C u dëmtua rëndë gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe për restaurimin e saj u kërkua bashkëpunimi i shumë studiuesve, inxhinierëve dhe arkitektëve për të kryer një studim të plotë dhe për të hartuar dhe zhvilluar një rindërtim gjithëpërfshirës.

Muret rrethuese të Durrësit i përkasin periudhës së perandorit Anastas, sundimtarit bizantin me origjinë nga ky qytet.

M.B.