Tiranë, 30 mars – Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot ngritjen e muzeut të Marubëve në Shkodër “si një akt dinjitoz me vepra, jo me fjalë, për ngritjen e krenarisë kombëtar”. I pranishëm në Kinema Millenium në Shkodër, kryeministri Edi Rama, i shoqëruar edhe nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, mori pjesë në prezantimit publik të fazës së fundit të përzgjedhjes së projekteve fituese për projektin “Restaurimi dhe Muzealizimi i Fototekës Kombëtare ‘Marubi”’.

“Studio që do të bëjë restaurimin do të bëjë të mundur që së shpejti ky thesar dhe dinastia e Marubëve të dalë më në fund nga burgu i harresës dhe lagështirës mbytëse dhe të bëhet pjesë e jetës së qytetarëve të Shkodrës. Dhe pas kësaj do të jenë më të shumtë atë që do e vizitojnë Shkodrën”,- tha kryeministri Rama.

Sipas kreut të ekzekutivit, “procesi i inventarizimit ka përparuar dhe sot që po flasim për thesarin e Marubit ka nisur procesi për dixhitalizmin e tij. Ka nisur puna për të ruajtur këtë thesar që sot është mjaft i dëmtuar, por që ka shumë për t’u thënë brezave që do të vijnë”.

“Me një kilometër më pak asfalt dhe një thesar më shumë të shpëtuar, sepse kaq kushton shpëtimi i një thesari, ne bëjmë shumë më tepër drejt Shqipërisë europiane, drejt atdheut që meritojnë fëmijët tanë. Jemi të vendosur që vit pas viti ta shtojmë, jo vetëm vëmendjen, por edhe volumin e të mirave materiale që do të shpenzojmë për trashëgiminë kulturore dhe kulturën në përgjithësi”,- tha Kryeministri Rama.

Kryeministri Rama gjithashtu u shpreh se, “ka filluar projekti për vlerësimin e Kalasë së Shkodrës dhe një sërë masash do të merren që këtë vit. Një projekt do të ndërmerret edhe për rrugën që lidh Shkodrën me pellgun e Plavës dhe Gucisë, për të bërë të mundur kështu rilindjen e Shkodrës, që përfshinte dikur një pellg më të gjerë edhe me pjesën matanë kufirit. Duam ta rivitalizojmë këtë lidhje, këtë hapësirë, sigurisht në kushte të reja. Do të shtrijmë me shpejtësi një segment rrugor drejt Vermoshit, dhe në bashkëpunim me qeverinë e Malit të Zi do të bëjmë një bashkëpunim mes territoreve të banuara nga shqiptarët të integruara në një pellg shkëmbimesh kulturore, njerëzore dhe ekonomike”.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/