Gazetarja britanike që jeton prej disa vitesh në Shqipëri, Alice Taylor ishte e ftuara e radhës në podkastin “Flasim”, të kryeministrit Edi Rama.

Gjatë këtij podcasti u trajtua edhe retorika britanike ndaj shqiptarëve dhe politikat e emigracionit që ka ndërmarrë Britania.

 “Retorika e tyre kundër Shqipërisë. Së pari është e turpshme. Më vjen turp kur shoh gjërat më të fundit që kanë thënë. Më vjen turp nga politikat e tyre të emigracionit. Më vjen turp nga mënyra se si i trajtojnë të huajt. Kjo është gjëja kryesore që më bën të ndjej. Kur dëgjoj shqiptarë që më thonë se fëmijët e tyre janë bullizuar në shkolla në Angli sepse janë shqiptarë apo sepse nënave të tyre u është refuzuar viza për të shkuar për të vizituar vajzën kur ka pasur një fëmijë, atëherë kjo është e turpshme. Çfarë e bën këtë vend kaq të madh sa që kanë të drejtën të kthejnë mbrapsht një qenie njerëzore që ka një arsye të vlefshme për të shkuar atje? Kam miq që nuk kanë arritur të marrin viza për të studiuar në universitete atje. Mendoj që është qesharake ne momentin kur vendi ka një mungesë të krahut të punës dhe më duket e turpshme. Nuk më bën krenare të jem britanike aspak”, tha  Taylor.