Luksi i sotëm duket larg kohërave, kur varfëria e Shqipërisë reflektohej edhe te veshjet modeste të Kombëtares së saj të futbollit. Tritan Kokona, një gazetar i vjetër sportiv, sot zëdhënës i Federatës së Futbollit, kujton rastin e paprecedentë të 23 viteve më parë.
“Shqipëria luante kundër kampionëve të Europës, Danimarkës, në transfertë. Në Kopenhagen, për fat të keq nuk kishte uniformë për të luajtur përballë tyre. Danezët u detyruan të jepnin uniformën e tyre të dytë, tek e cila u stampua stema e Federatës Shqiptare të Futbollit”, tha Tritan Kokona, duke treguar uniformën, me të cilën Shqipëria e asaj kohe luajti ndaj Danimarkës, në vitin 1993.Një nga protagonistët e asaj kohe, Sulejman Demollari tregon sesa keq ishin ndjerë lojtarët e kombëtares përballë medias daneze, kur ishte marrë vesh lajmi se, Shqipëria do të luante një ndeshje me fanelat e dhëna borxh nga kundërshtari.
“Atë ditë në Danimakë, justifikimi ishte që nuk erdhën uniformat e ndeshjes. Në atë kohë doli edhe një batutë, sipas së cilës shtypi vendas dhe ai ndërkombëtar shpreheshin se Danimarka po luante kundër Danimarkës”, thotë Sulejman Demollari.Por sot kohërat kanë ndryshuar. Vetëm nga marrëveshja me sponsorin teknik “Macron”, Federata Shqiptare e Futbollit do të përfitojë një shumë, e cila i kalon 6 milionë eurot. Djemtë kuqezi shkruan historinë në tetor, pas kualifikimit për Europianin francez. Falë rezultateve të mira dhe, sigurisht, kualifikimit historik për në “Francë 2016”, tashmë janë kompanitë prestigjioze, ato që kërkojnë Kombëtaren kuqezi.“Kjo fanelë është e limituar, e cila do të prodhohet dhe me të cilën do të luhet vetëm në kampionatin europian ‘Francë 2016’. Më pas nuk do të jetë më, pasi për kualifikueset e Botërorit do të kemi një fanelë tjetër”, deklaroi kreu i FSHF-së, Armand Duka.