Reumatizma është një nga sëmundjet që prek të gjitha grupmoshat. Si e tillë, asaj i duhet kushtuar një rëndësi e veçantë nga të gjithë pacientët e prekur prej saj. Në numrin e kaluar dr. Selami Balla shpjegoi disa nga rreziqet që kërcënojnë kategori të caktuara shoqërore nga gama e gjerë e sëmundjeve reumatizmale, si gratë gjatë menopauzës, apo fëmijët e vegjël 3-5 vjeç, që megjithëse në moshë të njomë nuk janë imun ndaj saj.

Megjithëse një pjesë e konsiderueshme e pacientëve ia vënë fajin për prekjen nga reumatizma kohës me lagështirë dr. Balla thotë se klima nuk është shkaktari kryesor. Sipas tij ka shumë vite që bëhen studime. Është arritur në një sërë konkluzionesh, të tjera probleme kanë mbetur ende pezull. “Të mos harrojmë se në reumatizëm ndikon edhe të ushqyerit, dieta, lëvizjet, ushtrimet, kujdesi, higjena”- thotë mjeku reumatolog.

Në të njëjtën kohë mjeku Balla rekomandon që në raste të “këputjes së mishit”, term ky i njohur në gjuhën popullore, por i papranuar nga mjekët specialistë pacienti duhet t’i drejtohet kurimit profesional. Sipas tij trajtimi i këtyre rasteve prej mjekëve popullorë mund të shkaktojë pasoja të rënda për jetën e qytetarit duke e rrezikuar seriozisht atë pas trajtimit me mënyra krejt empirike dhe pa baza.  

Qytetari ynë ende nuk është i ndërgjegjshëm për t’iu nënshtruar analizave. Ai kërkon ndihmë mjekësore kur paraqitet me urgjencë. Reumatizma ka pjesë të rriskut për jetën?

Ka rëndësi që sëmundja të kapet në kohë. Për shembull: po u kap osteoporoza në kohën kur kocka ka pësuar thyerje, pra është ndëshkuar nga fraktura, është tepër vonë për shëndetin dhe garancinë e jetës së qytetarit. Sot ndeshemi shpesh me raste të tilla. Vijnë në kirurgji me thyerje të kockave të femurit nga osteoporoza dhe pasojat janë të pariparueshme. Neglizhenca ka pasoja. Polimialgjia reumatike është sëmundje që shfaqet me dhimbje muskulare të veçanta në moshën 50 vjeç tek gratë dhe 60 vjeç tek burrat.

Zbulohet me shumë vështirësi edhe nga specialistët. Kjo shoqërohet me sëmundje të tjera, për shembull me vaskulitet, me dëmtim të enëve të gjakut. Dhe çfarë ndodh? Sëmundja e çon njeriun në verbim të plotë. E kuptoni se çfarë do të thotë të neglizhohet konsulta me mjekun specialist, të humbësh shikimin, të behesh plotësisht i paaftë për veten dhe familjen? Vetëm nga mos kujdesi. Të mos harrojmë më pas se reumatizma e pakuruar dëmton zemrën, veshkat, mëlçinë etj.

Dëgjojmë ditë pas dite që moti, klima, lagështia e ajrit ndikon në reumatizëm. Sa e vërtetë është kjo?

Në sëmundjet reumatizmale ndryshimi i motit, temperaturës, presionit atmosferik ndikojnë. Ka raste që duket sikur gjendja jonë rëndohet. Është e vërtetë. Por klima nuk është shkaktari kryesor. Ka shumë vite që bëhen studime. Është arritur në një sërë konkluzionesh, të tjera probleme kanë mbetur ende pezull. Të mos harrojmë se në reumatizëm ndikon edhe të ushqyerit, dieta, lëvizjet, ushtrimet, kujdesi, higjena. Ka rëndësi të kuptohet se sot reumatizma stopohet në sajë të medikamente shumë të mira të futura kohët e fundit në mjekësinë shqiptare.

Trajtimi sot po i afrohet shërbimit bio, pra ilaçe me sa më pak efekte anësore. Pacienti nuk mund të vlerësohet me të parë. Duhet t’i nënshtrohet analizave, konsultës. Pra nuk mund të flitet për kontroll rutinë dhe deklarime si në rastet me mjekun popullor. Reumatizma është sëmundje e veçantë. Analizat që bëhen janë disa dhe ato përcaktojnë ndikimin nga moti, probleme në gjak, dëmtime të artriteve, të kyçeve, kolonës e kështu me rradhë. Duhen të dhëna klinike për të folur dhe mendim i kualifikuar mjekësor.

Po u kap osteoporoza në kohën kur kocka ka pësuar thyerje, pra është ndëshkuar nga fraktura, është tepër vonë për shëndetin dhe garancinë e jetës së qytetarit. Sot ndeshemi shpesh me raste të tilla. Vijnë në kirurgji me thyerje të kockave të femurit nga osteoporoza dhe pasojat janë të pariparueshme. Neglizhenca ka pasoja

Gjaku formal për shembull është analizë e domosdoshme. Vëmë re sentimentet e gjakut. Kjo e ndihmon mjekun të vërejë nëse është problem reumatizmal apo ndonjë sëmundje që ka nevojë për trajtim nga një tjetër specialist. Reumatologu sheh nivelin e proteinave seraktive, fibrogjenin, antikorpet për sëmundshmëri të veçantë. Punohet hap pas hapi deri tek specifikja. 

Shpesh flitet për kurimin tek mjekët popullorë për këputje të mishit. Cili është gjykimi juaj si specialist në reumatologji?

Mjekët e cilësuar popullorë bëjnë veprime dhe rekomandojnë pa asnjë bazë mjekësore, pa më të voglën njohuri mjekësore. Shpesh në klinikën tonë vijnë të sëmurë që kërkojnë ndihmë të specializuar. Ata tregojnë ndëshkimin që kanë pësuar duke iu nënshtruar regjimit, këshillave dhe terapisë së mjekëve popullorë, të pashkollë, të paarsimuar fare.

Kjo kategori merr përsipër jetën e qytetarit duke e rrezikuar seriozisht atë pas trajtimit me mënyra krejt empirike dhe pa baza. Duhet thënë se këta mjekë marrin përsipër të bëjnë edhe atë që sot nuk e bën dot mjekësia shkencore. Konkretisht vijnë të sëmurë reumatizmal me dhimbje të forta të mesit. Këto dhimbje janë kapitull më vete në sëmundshmëritë e llojit. Mund të ngatërrohen rastet me sëmundjen malinje, sëmundjen e keqe, ndryshe kancerin. Na thonë pacientët: Kam këputur mish. Që nga shprehja nuk qëndron.

Ne nuk e njohim këtë term, kurse mjekët popullorë dalin e thonë se ata e kurojnë. Këputja e mishit afrohet me tërheqjen muskulare, dëmtimet e nervave. Këputja e mishit nuk mund të ndodhë. Kemi raste të këputjes së tendinave apo aspekte inflamative, por jo në kushte të zakonshme. Vjen nga abuzimi në ngritjen e peshave, ecjet e gjata dhe të forta. Po të këpusë pacienti mish do të thotë se ka dëmtuar disqet vertebrale dhe kurimi bëhet me shumë vështirësi edhe në klinika shumë të specializuara të botës dhe asnjëherë nga mjeku popullor.

Artriti

Artriti reumatoid është një nga sëmundjet inflamatore të ashtuquajtura “sëmundje të indit lidhor”. Kjo është një sëmundje kronike, që shoqërohet me inflamacion të membranave sinoviale dhe formim të të ashtuquajturit “pannus”. Shkaku i shfaqjes së artritit reumatoid nuk dihet. Kjo sëmundje prek femrat 3 herë më shpesh se meshkujt. Mosha e prekur zakonisht është 20-40 vjeç. Shpesh pacientët e diagnostikuar kanë antigenin HLA-DR4. 50-75% e pacientëve me diagnozën e artritit reumatoid “shërohen” brenda dy vjetësh. Këta pacientë zakonisht nuk kanë faktor reumatoid dhe kanë funksion të mirë të kyçeve. Pacientëve që vijojnë të kenë simptomat e artritit reumatoid edhe pas 2 vjetëve, u shkurtohet jeta mesatarisht me 10-15 vjet. Këta pacientë duhen trajtuar në mënyrë më agresive. Studiuesit nuk kanë arritur akoma të sqarojnë shkaqet që çojnë në artritin reumatik. Me sa duket ka shumë faktorë që marrin pjesë.

Simptomat

Prek gjunjët, këmbët, kyçet

Vështirësi për t’u larë, veshur

Xhunga nën lëkurë

Shformime karakteristike të gjymtyrëve

Shkatërrim të kërcit të kyçeve

Artriti: Gratë, tri herë më të prekura se burrat

Artriti reumatizmal prek tri herë më tepër gratë se burrat. Ky është konkluzioni i një studimi të kryer mbi disa minj në kushte laboratorike, të krijuar enkas për të imituar reaksionet e njeriut përballë sistemit imunitar, që ndikon në shfaqjen e sëmundjes. Artriti ka si origjinë një problem në sistemin imunitar, që sulmon kockat. Studiuesit e “Mayo Clinic” të Nju Jorkut, duke vërejtur kafshët në laborator, kanë arritur të shohin se femrat preken më shpesh dhe me format më të rënda të artritit reumatizmal. Rezultatet e publikuara në “Arthritis & Rheumatism” janë nxjerrë nga studiuesi italian Maurizio Cutolo, i Universitetit të Xhenovës, sipas të cilit janë hormonet femërore, estrogenet, ato që saktësojnë ndryshimin në përhapjen e sëmundjes. “Bilanci hormonal është kyç në problemet e sistemit imunitar. Për këtë arsye, nëse arrijmë të simulojnë sëmundjen te minjtë, ky do të jetë një hap mjaft i rëndësishëm për të studiuar strategjitë e reja kundër kësaj sëmundjeje”, ka nënvizuar Cutolo.