Liz Truss pritet të zgjidhet kryetare e Partisë Konservatore në pushtet dhe kryeministre e ardhshme e Britanisë së Madhe të hënën, raporton Reuters, “e gatshme për të marrë pushtetin në një kohë kur vendi përballet me një krizë të kostos së jetesës, trazira industriale dhe një recesion ekonomik”.
Pas disa javësh në garë për lidershipin partiak shpesh të egër dhe përçarës që vuri Truss kundër Rishi Sunak, një ish-ministër Financash, shpallja e rezultatit të hënën në 11: 30 GMT do të shkaktojë fillimin e një dorëzimi të detyrës nga paraardhësi Boris Johnson.
Johnson u detyrua të njoftojë dorëheqjen në muajin korrik pas muajsh skandalesh dhe do të udhëtojë në Skoci për të takuar Mbretëreshën Elizabeth të martën për të paraqitur zyrtarisht dorëheqjen e tij.
Pasardhësi i tij, i cili shpallet sot, do të jetë me të dhe do t’i kërkohet të formojë një qeveri të re.
Kandidati kryesor në garën për të zëvendësuar Johnson, Truss, nëse shpallet fituese, do të bëhet kryeministri i katërt nga radhët e konservatorëve që nga zgjedhjet e vitit 2015.
Gjatë kësaj periudhe, vendi është goditur nga kriza në krizë dhe tani përballet me atë që parashikohet të jetë një recesion i gjatë i shkaktuar nga inflacioni i lartë i cili arriti në 10.1% në korrik.





