Shqipëria është renditur mes 10 destinacioneve më të mrekullueshme dhe unike për të udhëtuar gjatë vitit të ardhshëm, shkruan në një artikull revista amerikane “Hospitality Net”.

E cilësuar ‘Xhevahiri i Ballkanit’, Shqipëria është arratisja perfekte për shkak të ujërave të kaltra, maleve mbresëlënëse dhe faktit se çdo udhëtar do të gjejë vetën në vendin tonë. Pikënisja për udhëtarët mund të jetë Riviera shqiptare dhe konkretisht qyteti i Vlorës.

Vija bregdetare u ofron vizitorëve pushime të ngjashme me ato në Maldive, por me kosto të reduktuar, një zgjedhje ideale për 43% të udhëtarëve.

Gjatë ditës, vizitorët mund të shëtisin përgjatë shëtitores me palma, të eksplorojnë Lagunën e Nartës ose të shijojnë një udhëtim me varkë në gjirin e vogël, por mahnitës të Gramës.

Vlora është gjithashtu një destinacion i rëndësishëm për traditën e kuzhinës shqiptare. E ndikuar nga kuzhina italiane pjatat shqiptare serviren me produkte të freskëta deti.

Turistët do të kenë mundësinë të provojnë ushqimet e shijshme tradicionale të servirura në hotelet ku ata do të qëndrojnë, por edhe në restorante që janë pranë peisazheve bregdetare.