Revista amerikane e përdyjavshme më prestigjiozja në botë për biznesin “Forbs” (Forbes), me artikuj origjinalë mbi financat, industrinë, investimet dhe temat e marketingut, ka botuar në numrin e fundit shkrimin “Pesë qytetet bregdetare evropiane më të shpërfillura padrejtësisht” (Five of Europe’s most underrated seaside cities). Durrësi përfshihet krahas Hagës, Heraklionit, Triestes dhe Varnës.
“Forbs”-i vë në dukje se “i ndodhur në perëndim të kryeqytetit të Shqipërisë, qyteti bregdetar i Durrësit është i famshëm për klimën e tij të bukur mesdhetare dhe arkitekturën historike”.
Sipas revistës se miliarderëve të botës, një nga atraksionet më prestigjioze të tij, i ndërtuar nga Perandoria Romake – Amfiteatri i Durrësit – dikur kishte një kapacitet 20 000 njerëzish, por një seri tërmetesh gjatë shekujve e rrënuan këtë objekt historik.
“Forbes” shkruan se, ndërsa qyteti është destinacion ideal për dashamirësit e arkeologjisë, turistet duhet t’i kushtojnë kohë pushimit në plazh. Kjo, pasi skaji perëndimor i Durrësit ka plazhe të mrekullueshme me rërë dhe me mundësi të shumta për të ngrënë dhe pirë në lokalet përgjatë bregut.
Th.M.





