TURQI, 1 qershor 2013 – Në Turqi të paktën 12 persona kanë mbetur të plagosur pasi policia turke përdori gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë protestuesit, që kundërshtojnë planet për rizhvillimin e parkut Gezi, pranë sheshit Taksim, në qendër të Stambollit.

Disa persona u plagosën, pas rrëzimit të një muri, ndërsa përpiqeshin t’i shpëtonin ndjekjes së policisë. Prej katër ditësh, protestuesit bllokuan parkun Gezi, me qëllimin për të mos lejuar ndërtimin e një qendre tregtare, që do të shkatërrojë të vetmen hapësirë të gjelbër të qytetit.

Duket se revolta drejtohej kundër kryeministrit Rexhep Taip Erdoan, i cili qëndron në pushtet prej vitit 2002, dhe shumë turq e akuzojnë qeverinë e tij si autoritare. Protesta u shënuan edhe në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, në Bodrum, Konia dhe Izmir. Të plagosur mbetën një gazetar dhe një Fotoreporter .