Italia bëri publike planet për të lehtësuar masat e izolimit, të ndërmarra disa javë më parë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Kryeministri Giuseppe Conte tha se masat do të lehtësohen nga 4 maji, teksa njerëzve do t’i lejohet të vizitojnë të afërmit e tyre “në një numër të vogël”. Parqet, fabrikat dhe vendet e ndërtimit do të rihapen, ndërsa mësimi në shkolla nuk do të rinisë deri në shtator. Në dyqanet që do të hapen nuk bëjnë pjesë parukeritë dhe berberët dhe për këtë shumë prej tyre mund të jenë të inatosur.
Kështu si këta dy berberë italianë të cilët kanë gjetur një mënyrë të veçantë për të protestuar kundër masave të qeverisë ndaj pandemisë së koronavirusit, të cilat mbajnë ende të mbyllur dyqanin e tyre.
Berberët nga Padova u lidhën me zinxhirë përpara dyqanit të tyre, pas publikimit të listës së bizneseve që do të hapen në ditët në vijim dhe sipas së cilës dyqani i tyre do të vijojë të qëndrojë mbyllur.
“Nuk mund të qëndrojmë më mbyllur”, shprehen pronarët e berberhanës “La Dolce Vita”, Agostino Da Villi e Stefano Torresin. “Jemi gati për t’u hapur. Do të respektojmë të gjitha normat që do të na caktohen, por nuk mund të rrimë më kështu”, shtuan ata.
“Ne berberët jemi mësuar të punojmë me rregulla higjiene dhe kemi të gjithë materialet e nevojshme, maska, veshje, dorashka, xhel higjienizues”, përfundojnë dy berberët.





