Xhani de Biazi ka reaguar dhe e ka bërë, për të parën herë që kur ka ardhur ne Shqipëri, me një komunikatë për shtyp drejt medieve. Në lidhje me rinovimin deri në vitin 2018 që ka dalë nga burime pranë Komitetit Ekzekutiv dhe shifrat që shkojnë deri në 800 mijë euro, italiani sqaron dhe përgënjeshtron, duke drejtuar gishtin edhe tek anëtarët e Komisonit Ekzekutiv, që janë mbledhur të premten për të miratuar pesë pika…

“Lexoj me keqardhje të madhe në mediat shqiptare lajme që lidhen me rinovimin e kontratës nga ana ime. Sot dua të them dhe unë versionin tim të fakteve, për ta sqaruar njëherë e mirë marrëdhënien time me Federatën, duke mos pranuar heshturazi, tam-tamin mediatik, që do të më prezantojë si dikush që do të pasurohet në dëm të Federatës. Besoj se së bashku me stafin tim, me kontributin e madh dhe vendimtar të lojtarëve, të Presidentit që më ka dhënë liri në drejtimin dhe administrimin e Kombëtares, duke më asistuar në mënyrë shumë të mençur, kemi arritur një objektiv që dukej i pamundur në fillim të garave kualifikuese. Në dyvjetorin e parë në drejtim të Kombëtares Kuq e Zi,vlera e kontratës sime ishte e barabartë me 4.2% të buxhetit vjetor të Federatës, duke u rritur në dyvjeçarin e dytë me 4.5% të buxhetit. 

Sot, si ju thashë nuk kam firmosur materialisht një kontratë të re, por Presidenti Duka duke dashur të më vlerësojë, vendosi të më japë ekuivalentin e 4,4% të buxhetit të Federatës. Besoj se në terma ekonomikë, pesha e kontratës sime në buxhetin e Federatës është me të vërtetë diçka sigurisht jo e rëndësishme. Përkundrazi, kjo peshë nuk ndryshon me kontratën e re. Gjithashtu besoj se puna e zhvilluar deri më tani, na ka dhënë shumë kënaqësi, dhe ka qenë shumë e rëndësishme për rritjen dhe zhvillimin e gjithë lëvizjes së futbollit shqiptar, që ka përfituar shumë prej këtij bashkëpunimi. Shifrat që kam lexuar në gazeta kanë fare pak të bëjnë me realitetin objektiv, por sigurisht bëjnë sensacion tek opinioni publik dhe tek tifozët kuqezinj dhe kjo më trishton shumë. Kjo është diçka që e konsideroj jokorrekte.

Personat që realisht njohin faktet janë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, që natyrisht nuk mund të bëjnë publike asgjë pse janë të detyruar të respektojnë “kushtin e sekretit” të nenit 11 të kontratës mes palëve. E vlerësoj faktin që Presidenti Duka është larg gjithë kësaj. Të gjithë atyre që kanë gabuar në shpërndarjen e këtyre gjërave jokorrekte, i them me ndershmëri dhe ndjenjën e besnikërisë te flamuri ynë: Kemi arritur një objektiv shumë të lartë dhe duhet të sillemi me pjekuri, në lartësinë e pozicionit profesional dhe të imazhit kombëtar në të cilën gjendemi. Për mirëqenien e grupit, për kompaktësinë e gjithë atyre që na mbështesin individualisht dhe institucionalisht, apo gjithë atyre që e bëjnë këtë me shpirt dhe sakrifica, nuk ka nevojë për thashetheme që nuk vlejnë as katër aspra. Unë ndihem një Kuq e Zi, dhe do të mbetem i tillë, dhe besoj se të gjithë do të bëjnë ndershmërisht detyrën e tyre!”