Ministri i Drejtësisë dhe negociatori i LSI-së për konsensusin mes palëve për reformën në drejtësi, Ylli Manjani, ka deklaruar se kryetarit të Komisionit të Posaçëm për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj, ka spekuluar me fjalët e tij.
Manjani i është kundërpërgjigjur deputetit socialist Xhafaj, se ai i kishte dërguar një email mosdakordësie dje në darkë për të anuluar mbledhjen. Sipas Manjanit, kjo është veçse një shpifje dhe se ai nuk ka qenë kundër, ndërsa theksoi se nuk lejon askënd që të luaj me figurën e tij si ministër i Drejtësisë.
“Dua të bëj deklarim para jush, se atë që dëgjova para nga Xhafajt në lidhje me një emal tim in, kjo është shpifje. Ai ka marrë një e-mail por nga OPAT, dhe jo nga unë. Nuk jam unë që kam prishur mbledhjen. I kërkoj miqësisht zotit Xhafaj, se spekulime me fjalët e mia nuk lejoj. Nuk i lejoj për asnjë arsye. Kam qenë dhe jam mbështetës i reformës. Opinionet personale për zotin Xhafaj jam gati t'i ballafaqoj ku të dojë ai. Por të përdorë figurën time si ministër, nuk ia lejoj. I bëj thirrje që të tërheqë atë që tha. Unë në e-mail kam kërkuar që të vazhdohet mbledhja. Kjo nuk mund të përdoret si alibi nga ana e kryetarit të komisionit për të mos kryer detyrën”, tha para gazetarëve Manjani.
Xhafaj pohoi në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, se Manjani i kishte dërguar një e-mail mbrëmjen e djeshme ku shprehte mosdakordësi për draftin.





