Pas Champions League dhe Europa League, ja ku vjen edhe kompeticioni i tretë për klube. Lajmi i bujshëm është zbuluar nga Bild: Ky kompeticion do të debutojë në vitin 2021. Kupa, ende në kërkim të një emri, do të përbëhet nga 32 ekipe. Champions League do të ketë sërish 32 ekipe, ndërsa Europa League nga 48 ekipe do të zvogëlohet në 32 ekipe.

16 ekipeve të përjashtuara nga ky turne, do t’u bashkohen edhe 16 ekipe të tjera, që në këtë mënyrë do të krijojnë kompeticionin e ri. Europa League do të bëhet më tërheqëse për klubet dhe drejtat televizive, ndërsa kompeticioni i tretë do të garantojë pjesëmarrje për ekipet e tjera.

Një kuriozitet: që prej vitit 2000, futbolli evropian ka vetëm dy turne. Kupa e Kupave, e rezervuar për fituesit e kupave kryesore kombëtare, është zhvilluar për herë të fundit në vitin 1999: Triumfoi Lazio, pasi mposhti Mallorca-n në finale. Golat u shënuan nga Vieri dhe Nedved.