Klubi i Skënderbeut duket se po bën revolucion në futbollin shqiptar për sa i përket menaxhimit të një ekipi. Korçarët, jo vetëm që fitojnë dhe po bëhen të frikshëm nga viti në vit në Europë, por tashmë po realizojnë shitje të bujshme të futbollistëve duke arkëtuar shuma të konsiderueshme, të cilat nuk mendoheshin deri 2-3 vite më parë.

Gjithçka nisi në janar të 2016- ës. Fakti që skuadra mori pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Europës, u dha mundësinë lojtarëve që të tregonin veten në një arenë të madhe. Nga ana tjetër, klubi e shfrytëzoi më së miri këtë mundësi për të shitur futbollistët.Fillimisht ishte Peter Olainka, i cili u transferua te Gent në Belgjikë për 1.1 milionë euro.

Më pas, në fund të janarit të 2016-ës, Bernard Berisha u shit tek Anzhi në Rusi për 600 mijë euro. Pas tyre, në janar të 2017-s Agim Zeka u shit te Lila për 300 mijë euro. Tashmë, është radha e Liridon Latifit që do të transferohet te Pushkash Akademi në Hungari. Skënderbeu do të përfitojë 1 milion euro nga shitja e talentit kosovar.

Në këtë mënyrë, korçarët janë shndërruar në një klub modern dhe të mirëmenaxhuar. Jo vetëm që fitojnë tituj dhe marrin pjesë në Europë, por përfitojnë shuma të konsiderueshme nga shitja e lojtarëve jashtë Shqipërisë. Pritet që në vazhdim të ketë shitje të tjera të bujshme, pasi korçarët kanë në përbërje futbollistë shumë cilësorë.