Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Jetojmë në demokraci, por sa e vështirë qenka ta trajtojmë si e meriton. Flasim për të djeshmen, duke e quajtur diktaturë, monizëm, sistem represionesh, shkelje të drejtash të njeriut, e ku di tjetër. Por në opinion flitet më zë të lartë dhe pa më të voglin ngurrim: “Në kohën e djeshme kemi patur rend, kemi patur siguri, kemi patur qetësi”.
Dhe opinionet shtyhen më tej: “vinte gruaja në mes të natës në shtëpi pas mbarimit të turnit dhe nuk e shqetësonte askushi, apo kërkushi. Nuk kishte frikë, e zemra nuk i dridhej.

Është e tepërt të ripohoj dhe kjo duket në punët e mia mbi gjysëm shekullore, se nuk ngatërrohem me politikë, por kurajo nuk ka pse të na mungoj, kur pohojmë probleme të mprehta shoqërore, që mund të kenë qenë shumë më të mira në atë që e quajmë diktaturë, se sa në këtë të ashtëquajturën demokraci. Nuk di të mbroj të keqen, aq më shumë kur i bindem dhe jam rob i së mirës. Por nuk më shkon në mëndje se bëj gabim, për të pohuar me gojën plot dhe forcuar zërin deri në ngjirje: se dje kemi patur rend, dorë të fortë të policisë, që shoqërohej me qetësi fizike dhe shpirtërore. E pse nuk duhet ta pohojmë këtë, kur kjo ka ndodhur dhe ne e dimë që është kështu?

Politikën le ta lëmë pas dere dhe të dalim tek tema që kam vendosur ta trajtoj, në këtë shkrim shumë të veçantë. Dhe kjo e veçantë qendron tek njeriu i rrallë, tek zotnia i paharruar i rendit, që e patëm fat ne durrsakët me emrin sa një histori Rexhep Kajoshi. Në vazhdën e angazhimeve të mia, për t’u marrë me durrsakët e njohur, ku pa më të voglin diskutim miratohet njëqind përqind nga njerëzit puna dhe jeta e tyre në shërbim të Durrësit, bindja e tejkaloi besimin se edhe për Rexhep Kajoshin do të përkrahem në këtë nismë. Përvoja më orjenton, e drejta dhe besimi nuk më lënë të gaboj.

Megjithatë nuk doja të ngutesha, pasi e bluaja dhe e ribluaja në mëndje hapin për të qenë i sigurtë. Të njohur dhe të panjohur, miq edhe shokë, të largët dhe të afërm jo vetëm që e mbështetën opinionin tim, por më janë lutur që të shpejtoj. Rexhep Kajoshi, ky kolos i policisë së shtetit, ishte së pari dhe mbi gjithçka kolos i komunikimit me njerëzit, njohës i çdo qelize në gjakun e çdo individi.

Me një trup të bëshëm, fizik i lidhur, me ecje hijerëndë që i shkonte uniformës që mbante, por me diell dhe dritë në mëndje, ky Rexhep Kajoshi e donte dhe e kërkonte si oksigjeni për jetën, përshëndetjen e njerëzve. I njihte për të mos i rënë në qafë pa shkak. I njihte për t’i këshilluar kur gabonin. Asnjëherë nuk tregonte shkopin, por para tij vinte mendimin, qortimin, fjalën e ëmbël, këshillën e nevojshme, pozicionin e babait me djalin, të burrit me gruan, të vëllait me vëllain, të fqinjit me fqinjin, të qytetarit me qytetarin. Dhe kurdoherë mbeti njeriu i “ashpër” në pamje, por një babaxhan i vërtetë.

Sa vlera pati policia e shtetit, me Rexhep Kajoshin drejtor të saj në Durrës! Merita e këtij burri të çquar ishte, se mbeti i barabartë me të barabartin. Në asnjë rast nuk u dëgjua të flasë se është drejtor, por mbeti i përkushtuar në detyrë si një polic i thjeshtë, në shërbim të punës, në shërbim të qetësisë, në shërbim të asaj që kishte vendosur të bënte, të ruante rendin.

Takohem me Elonën, të bijën. Ka përfunduar studimet e larta për histori gjeografi dhe specializohet në Akademinë e Policisë në fushën e hetimit. Punon në komisariatin e policisë së Durrësit, si specialiste e hetimit të krimit. Rrugën e të jatit e ndjek Elona. Grua energjike, e shkathët, e vëmëndshme në bisedë, por me humor që ia shtonte më shumë hijeshinë e pamjes. Me shaka i pohoj, që po më dukesh së një Rexhep Kajoshi i dytë. Një arsyje më shumë, i them sërish Elonës, që ai burrë të mbetet i paharruar.

Rexhep Kajoshi u lind me 26 tetor 1941 dhe nuk na sheh më, nga 13 tetori 2008. Ishte me ne deri në moshën 67 vjeçare. Shumë i ri na ike Rexhep Kajoshi, shtyllë e përjetësisë së policisë së shtetit në Durrës, modeli i asaj që kërkohet nga kjo strukturë e rendit. Të shikoja jo rrallë, në një kafe të thjeshtë, teksa rruga merr në drejtim të kopshtit të njohur “Sotir Noka”. Dhe më përshëndetje, gjithnjë njëlloj si më parë. Por më i plakur, më i ligështuar nga ngarkesat e jashtëzakonshme të punës dhe nga një goditje kronike në zemër. Gruaja e mrekullueshme, bashkshortja ideale Xhyhere Artunda, të kishte lënë vetëm që nga 21 dhjetori i vitit 2003. Qe vetëm 54 vjeçe. Dhe nuk mbajte më.

Të përcolli për në shtëpinë e përjetësisë, një Durrës i tërë. Lotë për komandantin e tyre, për shefin e tyre, për policin e fortë dhe të dhëmbshur, e shumë njërëzor. Kortexhi i përmortshëm, u ndal para Drejtorisë së Policisë, aty ku për 30 vite punoi, drejtoi dhe vendosi rendin dhe qetësinë në Durrës, djali shkodran, por me kostumin e hijshëm që i qendronte aq bukur të durrsakut Rexhep Kajoshi. Në heshtje dhe në qendrim gatitu, me dhjetra policë e kolegë të tutë të dhanë lamtumirën. Një lamtumirë që do të mbetet gjithnjë prekëse, sa herë që do të kujtohet. Komandantët gjithnjë kujtohen, sidomos kur i kanë fituar betejat dhe u kanë dhënë njerëzve atë që duhet, ashtu si duhet për të mos lëvizur nga memoria dhe kujtesa e tyre.

Rexhep Kajoshi, që 12 vjeç la Shkodrën për t’u vendosur në Tiranë tek halla. Qazim Tafalla punonjës i sigurimit të eskortave, u kujdes për Rexhepin e vogël. Mbaroi me mbresa shkollën e mesme dhe më pas kreu studimet e larta në shkollën e Ministrisë së Brendëshme, ekuivalente me Akademinë e sotme të policisë. Forca fizike, shtati i lartë si lis, energjia dhe shkathtësia konkuruese, vëmëndja dhe përqëndrimi maksimal në mësime, e bënë të njohur studentin e ekselencës Rexhep Kajoshi. Me 1 korrik 1961 në postën e policisë së plazhit të Durrësit, u vendos të drejtoj një djalosh 20 vjeçar. Korrekt, serioz, i prerë për të kryer detyrat, Rexhepit shpejt do t’i fillonte ti dëgjohej zëri.

Pas katër vitesh emërohet shef i policisë së Durrësit dhe zëvëndës kryetar i Degës së Punëve të Brëndëshme të rrethit. Këtu fillojnë sfidat për këtë polic të lindur, që krijonte vazhdimisht metoda të reja në punë dhe që mëbshteteshin nga eprorët dhe vartësit. Nuk foli pa dëgjuar, nuk veproi pa menduar, nuk vendosi pa gjykuar, nuk kaloi në aksion pa vendosur më parë me mëndje të ftohtë. Këto tregues janë suksesi që po arrinte në punë. Popullariteti i tij mori dhenë. Shefi i policisë së Durrësit, që kurrë nuk mendoi se ishte shef por polic i thjeshtë, krijoi entuziazëm. Ngriti lart moralin e punonjësve të policisë, nxiti kushtrimin tek to.

Janë me qindra shembuj, që saktësojnë mjeshtrinë e lartë të ushtrimit të detyrës nga Rexhep Kajoshi. Me vajzën e tij Elonën, me njërin nga miqtë më të afërt, muzikologun dhe drejtuesin e njohur të artit Vasil Mema dhe nga shumë të tjerë, mësojmë fakte dhe episode të ndryshme nga suksesi në detyrë i Rexhep Kajoshit.

Në Rrushkull, një banor kishte shtënë me çifte pas një konflikti dhe ishte fshehur në një guvë. Bërtiste me të madhe, që të mos ofrohej njeri se do të qëllonte. Rexhep Kajoshi mblodhi togën dhe ndërtoi aksionin. Disa metra larg kësaj guve, që ngjasonte me një shpellë natyrale, Rexhepi thërriti:
-Dorëzoje armën dhe hajde të merremi vesh. Ndiq veprimet e mia. Po çarmatos veten! S’kam asnjë armatim në trup. Dhe ti bëj të njëjtën gjë. Veprimi yt do të gjykohet. Mbase falesh dhe gjykohet se veprimi yt është i justifikuar. Kështu është më mirë, mos të dëmtojmë njëri tjetrin.

Personi që po ndiqej, del nga guva dhe i ofrohet Rexhep Kajoshit, me duar që tregonin për vendosjen e prangave. Por profesionisti i policisë, reagoi me një tjetër veprim të matur. Ia ul duart dhe i thotë:
-Nuk do të vendos unë, se çfarë do të bëhet me ty. Ti u tregove i arsyeshëm dhe u dorëzove. Më mbetet vetëm të bëj shoqërimin tënd në rajonin e policisë.

Një nga metodat e punës së këtij polici të regjur, të ndershëm, të sinqertë dhe shembull për të tjerët është edhe kjo. Teksa mbledh një herë të plotfushimit e lagjeve, u thotë:
-Dua nga ju të raportoni, se çfarë ndodh në zonën tuaj të veprimit. Të jeni gjithnjë të gatshëm të reagoni. Kështu do të jemi pranë njerëzve dhe do t’ju gjindemi atyre kur kanë nevojë për ne.

Aftësia e tij e rrallë për të ditur se ku shkon qoftë edhe një “mizë”, informohet se në iks lagje kishte ngjarje. Pasi thërret të ngarkuarin e zonës e pyet, se ka ndonjë gjë të re. Vartësi ngren supet, për të lënë të kuptoje, se jo. Por Kajofshi i qetë dhe i matur i tregon ngjarjen. E këshillon të jetë më i vëmëndshëm dhe të veprojë më me përgjgjësi.
Kështu e forconte punën dhe i paraprintë asaj Rexhep Kajoshi.

Shumë sportëdashës. Shumë artist në shpirt. Elona të përmënd aftësitë e interpretimit të këngëve shkodrane, me tekstet dhe intonacionet e duhura. Ishte i zoti këtu. Rexhepi e donte sportin, por e lidhte edhe detyra. Ka shumë episode këtu. Po tregojmë tre prej tyre.

Kreshnik Tartari, kur “Dinamo” e njohur në volejboll për femra, i zhvillonte ndeshjet në pallatin e sportit “Punëtori” në Durrës, luante një takim me ekipin bullgar. Ajo humbiste 2 me 0. Seti i tretë. Tifozëria ishte në heshtje të plotë. Tartari i bën shenjë Rexhep Kajoshit, se donte ti thonte diçka.
Rexhepi e dëgjon.

-Të lutem na ndihmo për të nxitur tifozërinë. Vajzat kanë nevojë për kurajo.

Rexhepi vepron me shpejtësi. Thërret dy tifozë nga më nxitësit. Dhe ua thotë se Tartari kërkonte ndihmën e tyre. Dhe pas kësaj pallati i sportit merr “zjarr”. 2000 shikuesit krijojnë një “tmerr” më vete. Bullgaret hutohen. Dhe në fund Dinamo fiton 3.-2.

Në Shijak luante “Erzeni” me “Vllazninë”. Si pasojë e ngacmimit të tifozërisë shkodrane, “gjakrat” po ndizeshin dhe rrezikohej të konfliktoheshin. Kajofshi me veprim të matur dhe të mirstudiuar, del përballë tifozërisë mike dhe tregon me gisht 3-4 tifozë shkodranë të zbresin poshtë. Dhe e gjithë njerëzia në ndeshje, ngrihet në këmbë dhe thërret në kor:
-Shef Xhepi! Shef Xhepi!

“Lokomotiva” luante në Korçë me “Skëndërbeun”. Në vitet 80-të vështirësia në komunikacion ishte e pranishme. Pas ndeshjes, kishin mbetur në hall me qindra durrsakë. Donin të ktheheshin në Durrës. Rexhep Kajoshi ishte ndodhur në Korçë me detyrë. Por ai nuk u ktheu kurrizin durrsakëve, bashkëqytetarëve të tij.
-Rrini pa merak, u tha. Do ta rregullojmë këtë punë, që të ktheheni sonte në Durrës.

Tre maune të mëdha të eksportit që vinin nga kufiri, ndalojnë para stadiumit. Kajoshi bisedon me shoferët, që nuk do të ikin bosh por do të marrin tifozët durrsakë. Kujdeset për vendosjen e tyre dhe i shoqëron me makinën e tij deri në Durrës.

Eh sa gjëra janë të tilla për këtë njeri të madh, me zemër të pastër dhe të mbushur me dashuri njerëzore! Nuk fitohet lehtë respekti i popullit, por nuk u bindën që i do dhe i respekton.
Në Durrës në vitin 1987-88, ndodhen dy krime që nuk do të harrohen. Katër grabitës dhe vrasës vodhën bankën e shtetit. Dhe punë ditësh, vranë edhe rojen e BGT-së për të vjedhur. Ishte intiuta, psikologjia mjeshtërore e Rexhepit që i zbuloi kriminelët, të cilët u dënuan sipas ligjeve.

Shpirti i Rexhep Kajoshit, ishte i dhëmbshur. Dukej i rreptë, pasi natyra e policit nga veshja të tremb disi. Por brenda uniformës blu, rrihte një zemër për zemrat, rrihte një shpirt për shpirtrat, ishte vendosur kujdesi i jashtëzakonshëm i një njeriu për njerëzit.

Në një dyqan, poshtë Xhamisë së madhe të qytetit, bëhet fjalë për në fund të viteve 60-të, kishte ndodhur një vjedhje. Ishin marrë disa mallra ushqimore. Për çudi vjedhësi, dorëzohet në polici. Me vete kishte një bokshe me plaçka. E priti Rexhep Kajoshi.
-Jam njeriu që kam vjedhur dyqanin. Kam marrë me vete plaçkat e burgut. Nuk i pashë hall vetes.

Rexhepi gjykoi me qetësi, nga armët më të forta dhe më efikase të tij. Ai e kuptoi se kishte të bënte me një hallexhi. Atë e kishin pushuar nga puna. Gruaja edhe ajo pa punë. Një tufë fëmijësh ishin të uritur. Rexhepi nuk i ra shkurt, për të bërtitur e plasur në birucë këtë “hajdut” të detyruar. Interesohet në ndërmarrje pse ishte pushuar. Pa asnjë arsyje. Pas ndërhyrjes së këtij drejtuesi të aftë policie, hallexhiu merret në punë, i paguhen rrogat e muajve që e kishin pushuar dhe ky problem u zgjidh saktë.

Ndodhi gati e njëjtë edhe në Sukth. Çdo ditë vidhesh një dyqan buke. Thyhej dryni. Mungonin vetëm dy bukë. Një natë “hajduti” u kap. Një fukara, me një tufë fëmijësh nuk kishte lekë të blinte bukë. Më shumë kushtonte dryni që prishej, se sa bukët që merreshin. Kur Rexhep Kajoshi e preku këtë ndodhi, vendosi t’i paguante bukën këtij fakiri, derisa më pas problemi mori zgjidhje.

Nuk mbarojnë këto dukuri jetësore të Rexhep Kajoshit, këtij punëtori të madh të policisë, këtij njerëzori për njerëzorët. Vasil Mema është i prekur kur kujton, se teksa një mbrëmje u ndodh në shtëpinë e Rexhepit, pinë një kafe dhe u ndez magnetofi për të dëgjuar disa këngë.

-Jam shtangur, kujton Mema. Një megnetofon i thjeshtë mono dhe jo sterio. Pse, mendova në çast, nuk ka patur mundësi, shefi i policisë së Durrësit të kishte një magnetofon më të mirë. Por ndershmëria, ndershmëria se kishte lënë këtë Rexhep. Dhe prandaj meriton të kujtohet.

Rexhepi dhe Xhyhere Kajoshi u bënë me tre fëmijë: Iliri, Arbeni dhe Elona. Fati tragjik pas largimit nga jeta të Rexhepit, ndoqi edhe të birin Arbenin. Elona është martuar me artistin e njohur Alban Kamenica. Ka një djalë Eliosin dhe vajzën Grej. Eliosi është basketbollisti më i gjatë tek “Teuta”: 2.07 m dhe mbase nga më të gjatët në historinë e basketbollit durrsak. Elona është në rrugën e të jatit dhe i qendron besnik ndershmërisë së tij.

Nuk mbetem i qetë nëse nuk përmënd edhe dy fakte.

Së pari: vëllai i gruas së Rexhep Kajoshit, është ish anëtari i Byrosë Politike Muho Asllani. Rexhep Kajoshi polic ishte dhe polic mbeti. Nuk dinte t’i kërkonte një nëpunësi apo të kridhej apo të pozonte në ndonjë dikaster?! Por nuk e bëri dhe as do ta bënte sikur edhe dy jetë të kishte.

Së dyti: Ky kuadër karriere, ky polic e kaluar policit, ky frymëzues i detyrës së policit të shtetit në lidhje të sinqerta dhe shpirtërore me njerëzit, a mund të dilte në lirim me një ligj të hartuar dhe zbatuar në fillim të viteve 90-të? Nuk është detyra ime dhe as të marr mundimin ta ngacmoj këtë, që është i drejtë apo i padrejtë 24/1-shi. Por nuk mund të bëj indiferentin, as edhe të hesht kur vihesh para faktit shumë të rëndë, që nuk duhej të ndodhte për ta nxjerr në lirim në moshën 50 vjeçare, këtë kolos të policisë. Kjo nuk është punë politike, por ruajtja e rendit dhe e qetësisë për njerëzit. A nuk është ky funksioni i policisë, gjë që e kryente në prefeksion i mrekullueshmi Rexhep Kajoshi? Gabim fatal, që e vuajtëm të gjithë nga pak.

Rexhep Kajoshit, i dhamë lamtumirën e fundit me 13 tetor 2008. Ishte vetëm 67 vjeç. Shumë i ri. Iu plas zemra, siç thotë populli. Por zemrat e njerëzve do të mbeten gjithnjë të hapura, për ta vendosur në kujtesën e merituar. Deviza e Rexhep Kajoshit ishte:
-Të mirën që bën hidhe në det dhe nëse s’ta di njeri, ta sjell Zoti vetë”.

Dhe Zoti do të na e sjellë gjithnjë shkodranin, që e meritoi përjetësinë në Durrës. Do ta shikoj gjithnjë në të paqtën e tij, për të na lënë gjithnjë në mëndje emrin e mirë, bukurinë e artë shpirtërore, që krijoi dhe e mbajti deri në fund Rexhep Kajoshi.

Durrës: 29 korrik 2022