Nga BUJAR QESJA

Shumë po shkruajmë, me një pasion prej të riu dhe me mendim të pjekur prej të moshuari. Kot nuk thonë që energjia e të riut, përzier me mënçurinë e të vjetërit jep përfundime të zgjedhura, të mirpritura. Sa më shumë plugon pena ime në tokën jo fort të punuar kushtuar njerëzve të thjeshtë por të mënçur të Durrësit, aq shumë mendon se sipërfaqe të tëra presin dorën tënde.

Ulem dhe mendoj. Vras trurin për tema të reja, që i kemi aq pranë por i shpëtojnë vëmëndjes tonë. Edhe në gjumë bubrrojmë dhe nuk ndjehemi rehat. Duhet të shpejtojmë, për të bërë mirë dhe saktë detyrimin tonë moral, ndaj zemrës së njerëzve që përbëjnë atë komunitet aq të dashur të jetës time. Dhe këta janë durrsakët. Dhe këta janë vendlindasit e mi, me të cilët në këtë treçerekshekulli kemi ndarë gjithçka.

Rexhep Keçi! Oh flori e kaluar floririt. Sa jam vonuar për të ardhur tek ti. Megjithatë i përmbahem versionit: “Çdo gjë e mirë e shkruar, nuk është e vonuar”.Dhe si një e bërtitur “Eureka”, edhe unë e lëshova një pickamë që e dëgjova po veç unë: Rexhep Keçi!

Nuk ka më të thjeshtë se Rexhep Keçi. Nuk ka patur një njeri më të mënçur se Rexhep Keçi. Nuk ka patur një njeri më të gjindshëm se Rexhep Keçi. Nuk ka patur një njeri më të dhëmbshur, me zemër të pastër si kristal si Rexhep Keçi. Nuk ka patur asnjë detyrë dhe funksion partie, pushteti, a kushedi se çfarë tjetër.Nuk ka patur ndonjë arsimim që mund të thonte “që unë dalloj këtu”. Por ka patur atë që i duhet njeriut, që i duhet kujtdo për të qenë i vlefshëm: “zemrën e madhe, sa për dy dritare”.

Rexhep Keçi ishte profesionist i guzhinës, ashtu siç ishin profesionistë në punën e tyre edhe tri vëllezërit e tij Sherifi, Nexhi dhe Naimi. Nga dora e tij është ushqyer i pasuri dhe i varfëri, i mënçuri dhe naivi, i bardhi dhe i ziu, i riu dhe i moshuari dhe në fund një mirnjohje, një falenderim. Rexhep Keçi nuk mendonte se ishte bamirës dhe as nuk ndante meny në mes të pazarit. Por ai punoi me zemër, me shpirt për ti shërbyer njerëzve. Emri i tij pushtoi opinionin qytetar në Durrës dhe u bë shumë popullor. Dhe shkaku? Pikërisht për këtë zemër dhe për këtë shpirt që zotëronte.

Asllan Keçi erdhi nga Shijaku, së bashku me Feridenë dhe bënë që të shikojnë dritën e diellit tetë fëmijë, katër djem dhe katër motra. Karrocieri i thjeshtë dhe ky shumë popullor Asllan Keçi, i rriti me shumë sakrifica fëmijët e tij, të cilët ja shpërblyen me të njëjtën monedhë, të ndershëm, kokëulur, të thjeshtë dhe dashamirës ndaj kujtdo. Rexhep Keçi ishte i dyti nga fëmijët e Asllanit dhe vinte pas Hamidesë. Dhe tri motrat e tjera janë Nadirja, Bejtja dhe Balja.

Dhe krushqitë erdhën të mbara. Vajza e madhe Hamideja, lidhi jetën me “Nderin e Kombit” , portjerin mitik të Shqipërisë Sul Maliqatin. Edhe fëmijët e tjerë të Asllan Keçit kanë lidhur krushqi pë tu patur zili. Por kjo e Maliqatit ka mbetur më në vëmëndje, nga vetë fama e jashtëzakonshme që krijoi ky goalkeeper i portës shqiptare. Kemi me jetë nga fëmijët e xha Asllanit Naimin, Bejtja dhe Balja.

Por le të kthehemi tek Rexhep Keçi, pushtuesi i plotë i shkrimit tonë. Kur ke të bësh me portrete të tilla shumë mbreslënëse, me njerëz që duhet të gërmosh me fuqinë e fjalës në minierën e florinjtë të shpirtit të tyre, mbetesh i bllokuar se cili ilustrim vlen më shumë. Dhe më të lehtë shembujt i kam brenda vetes. Të tjerë flasin, por stepen disi, pasi në të mirat dhe pozicionet favorizuese që krijoi Rexhep Keçi me njerëzit, rastet janë të shumta.

Rexhep Keçi doli në jetë me 1 shtator të vitit 1939 dhe u largua nga ne për të mos na shikuar më, me 10 gusht gusht 2014. Zemra e tij pulsoi plot 75 vite dhe rrahu për mirësi dhe mbarësi, për t’ju gjëndur pranë njerëzve dhe për t’i ofruar atë zemrën e tij të bardhë si vetë bluza e shërbimit. Familja e Rexhep Keçit u shtua me dy vajza dhe një djalë: Irma, Aida dhe Artani. Xhepi ishte dhe mbeti një sportëdashës i flaktë i sporteve, por veçanërisht i futbollit. Ai u gëzua pa masë që në rrethin e tij të afërt dhe miqësor, u rrethua me protogonistë të sporteve. Maliqati, i shoqi motrës portjer, Firdus Karagjozoviq, volejbollist klasi, bashkshorti i vajzës së parë Irmës, Gëzim Metaliaj që lidhi jetën me vajzën e dytë Aidën, është kunati i gjigandit të shahut shqiptar Fatos Muços. Dhe Xhepi vdiste për sportin. Linte kokën për futbollin. Dhe me punën e tij, më paratë e tij ka ndihmuar aq sa ka mundur.

Si në restorant “Durrësi”, si në lokalet e njohura të sektorëve “Hekurudha” dhe “Iliria” në plazhin e Durrësit dhe veçanërisht në atë të Currilave, ai mbeti i njëjti: zanatçiu dhe njeriu i përkryer Rexhep Keçi. Në lokalet ku punonte Xhepi, vinin mjaft klientë të njohur dhe të panjohur. Ato i mrekullonte guzhina e pasur dhe e pastër i këtij mjeshtri. Por edhe pak muhabet sporti pinte ujë dhe i bënte mjediset edhe më tërheqëse edhe më të preferuara. Ai i donte dhe i respektonte edhe njerëzit e letrave, që mbështetnin dhe përkrahnin sportet. Njëri prej të cilëve isha edhe unë.

Ja se çfarë ndodhi me 4 qershor, të vitit 1995.

“Teuta” e Durrësit kishte fituar Kupën e Shqipërisë në futboll. Në këtë ditë, Rexhep Keçi ftoi ekipin dhe drejtuesit e tij në një darkë entuziaste, për të gëzuar për këtë ogur të madh të futbollit durrsak. Pasi kishin ardhë të gjithë, shpirtfloriri Rexhep Keçi dalloi diçka që nuk shkonte. Dhe pyeti:-A kanë ardhë të gjithë ato që duhen?-Po, i thanë. Asnjë nuk kemi harruar.-Po gazetarin, zotin Qesja, ku e kini? Atë që shkruan për ju, që flet për ju dhe natyrisht do të dëshiroja që të publikojë edhe këtë miqësi tonën. Prandaj shkoni dhe njoftoheni!Dhe kështu ndodhi, Ka qenë një mbrëmje e magjishme, me menynë më të mirë në botë: shpirti i madh i këtij njeriu të mirë.

Ishte dhjetori i vitit 2004. Sapo isha kthyer nga Italia nga një operacion delikat në zemër, me rrisk jetën dhe ecja me shumë vështirësi. Nuk flisja. Kordat vokale nga operacioni ishin jashtë funksionit. Dhe tek ecja me time shoqe, përballemi me Rexhep Keçin. Sa u takuam filloi të qajë si fëmijë.

-E mora vesh që ke qenë shumë rëndë. U thashë disave, që të të jepnin zemrën time. Ti duhesh vëllai im, duhesh! Ti nuk duhet të na ikësh!

Dhe qante e qante i miri Xhep. Sa forcë më dha. Peshë fjale, por mbi këtë, peshë zemre. Po e ilustroj me fakte nga jeta ime, sepse këto kam prekur. Por sa të tilla ka Rexhep Keçi. Ai ishte kthyer në një guzhinjer shpirtëror, që gatuante e gatuante mirësi. Prandaj edhe u bë popullor. Prandaj ka edhe famë. Ai që punon për njerëzit, ai që i don dhe i respekton njerëzit, do të shpërblehet me të njëjtën monedhë.

Kapitulli më i përkryer i jetës së Rexhep Keçit, mbeten nipërit dhe mbesat e tij. Katër djem dhe tri vajza, qendronin si një kurorë kënaqësia për gjyshin e tyre të djegur nga dashuria. Dhe pranë Rexhepit, mbetej gjithnjë gruaja fisnike, e dashur gjithashtu si ai, Havaja e mirë që qendron e fortë me shëndet.

Artani, i biri, që zgjodhi edhe ky zanatin e të jatit ndjehet i lumtur me emrin e mirë që la babai i tij në Durrës. Ai është i detyruar të ndjek shembullin e tij. Emri i djalit të madh të Tanit është Rexhian, që afrohet tingëllimit të emrit Rexhep. E kështu lëvizin brezat.

E trishtueshme dita e 10 gushtit 2014. Shtatë vite të shkuara ndalet zemra e këtij njeriu të thjeshtë, por shumë, shumë të njohur. Njerëzit lotonin, por edhe kujtonin. Dhe kanë të drejtë edhe më tej të kujtojnë dhe veçse të kujtojnë. Shpritmadhësia i këtij burri të mënçur, që veç të mira bëri në këtë jetë, ia vlen të kujtohet. Qytetaria durrsake i falet bijve të saj, veçanërisht atyre që e nderojnë.

Dhe një i tillë ishte dhe mbetet kurdoherë i gjallë edhe Rexhep Keçi.

Durrës: 26 korrik 2021