Tropoja nuk “dëshiron” që t’i japë titullin “Qyetar Nderi” akademikut të njohur kosovar Rexhep Qosja.

Një përplasje e pa kuptueshme ka ndodhur brenda grupit të komunës për këtë titull sa në të vërtetë situata paraqitet e çuditëshme.

Me propozim të një grupi këshilltarësh, Komuna Tropojë, me vendimin nr.70, datë 7.11.2012 kishte vendosur t’i akordojë akademikut Rexhep Qosja titullin: “Qytetar Nderi”, si studiues i përkushtuar, shkrimtar me veprimtari të pasur kulturore e atdhetare dhe veprimtar i njohur i çështjes kombëtare.

Nga 9 këshilltarë të pranishëm, vendimi u mor me pesë vota pro e katër kundër dhe motivacioni ishte: “Figurë komplekse dhe intelektuale e kombit shqiptar, arkitekt i bashkimit kombëtar, shkrimtar i njohur dhe njëri prej përfaqësuesve më në zë të mendimit filozofik shqiptar”. I njëjti vendim ishte marrë edhe më herët, por qe anuluar sepse bashkë me profesorin, titulli i qe propozuar e qe miratuar edhe për dy emra të tjerë.

Fakti që vlerësimi u dha për tre veta njëkohësisht, u përdor si justifikim për ta bërë atë të pavlefshëm. Ndërsa pas vendimit të dytë, ka qenë vetë kryetari i Komunës Tropojë-Fshat, ai që përmes shkrese që mban datën 8.11.2012 e refuzon vendimin e këshillit.